Nga 4476 maturantë sa i janë nënshtruar provimit të maturës në afatin e gushtit, 2726 prej tyre e kanë kaluar atë apo 60.9 për qind.
Ministria e Arsimit ka njoftuar të martën se rezultatet e maturantëve janë shpërndarë në shkolla, e afati për ankesa është deri më 6 shtator.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar 4476 maturantë, prej të cilëve kanë kaluar 2726 maturantë apo 60.9%. Rezultatet e testit tashmë janë shpërndarë në shkolla, ndërsa afati i ankesave është deri më 6 shtator. MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në procesin e mbajtjes së Provimit Shtetëror të Maturës për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.
Në afatin e parë e kanë kaluar provimin 13.342 nxënës apo 73.3 për qind.