Shkelzen Dakaj nga Gazeta “Infokus” e ka quajtur skandaloze deklaratën e kryeministrit, Albin Kurti, në mars të këtij viti lidhur me Gjykatën Kushtetuese. Ai ka thënë se përmes asaj deklarate kryeministri e ka ftuar Kushtetuesen të futet në politikë e të garojë me të.
“Një deklaratë e Kurtit më 21 mars: ‘Unë e ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme le të garojë... nuk është apolitike nëse merr vendim për politikë. Për ato garon në zgjedhje. Nuk është e thënë që Gjykata Kushtetuese tash ta bëjë dyfishimin e komisionit parlamentar për legjislacion, nuk më pëlqejnë mua një mori vendimesh që janë marrë në këtë gjykatë’ – është deklaratë e Kurtit. E ka ftuar Gjykatën Kushtetuese hajde hyj në politikë dhe shtyju me mua”, ka thënë ai.
E, arsyetim për këtë ka dhënë deputeti i VV-së, Dimal Basha. Ai ka thënë se Kushtetuesja ka dhënë cilësime, që nuk duhej ta bënte, dhe se kryeministri ka reaguar kundër kësaj.
“A e di pse e ka thënë këtë? Sepse Gjykata Kushtetuese në disa prej vendimeve, shembull Ligji për Këshillin Prokurorial, gjykata lëshohet në cilësime. Ata nuk janë aty që të na tregojnë... për shembull një prej cilësimeve thotë ‘reforma nuk është urgjente dhe e rëndësishme’. Kjo nuk është politikë e gjykatës”, ka theksuar Basha.
Demaku: Koncepti i Hoffmanit për luftën hibride më së shumti i përshtatet Vetëvendosjes
Panelistja në “Konfront” të KTV-së, Dafina Demaku, ka thënë se koncepti i ish-kolonelit të marinës amerikane Frank Hoffman për luftën hibride, më së shumti i përshtatet partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjatë debatit nëse ka apo jo luftë hibride në Kosovë, Demaku ka thënë se sipas Hoffmanit, lufta hibride ka paraparë dhunë, zhvatje dhe krim.
Ajo ka shtuar se dhunë është parë më së shumti gjatë vitit 2007, kur Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur protesta kundër Planit të Ahtisaarit e pavarësisë së Kosovës.
“Kjo nuk është luftë hiride, sipas konceptit të luftës hibride të z. (Frank) Hoffman, që ka qenë ish-kolonel i marinës amerikane më 2007, atëherë nuk kanë qenë shumë të përhapura rrjetet sociale, mediat online etj. Disa prej elementeve të luftës hibride në atë kohë kanë qenë dhuna, zhvatja, krimi që bëhej brenda shtetit. Në vitin 2007 Lëvizja Vetëvendosje ka qenë duke protestuar kundër Planit të Ahtisaarit, me protesta masive, të dhunshme, dhe nëse do të flinte më së miri koncepti i luftës hibride sipas interpretimit të z.Hoffman në vitin 2007, ai do t’i flinte më së shumti Lëvizjes Vetëvendosje, pasi dhunën më të madhe ne e kemi parë atëkohë në ato protesta kundër Planit të Ahtisaarit, kundër shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë”, ka thënë ajo.
Basha: Në Kosovë ka luftë hibride, opozita shpesh e bën për interesa të veta
Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në Kosovë ka luftë hibride.
Ai ka thënë se nga disa akterë po bëhet luftë hibride, e aty ka përfshirë opozitën dhe disa gazetarë e media.
“Mendoj se lufta hibride ekziston dhe është mëse e dukshme. Në Kosovë ka luftë hibride, po bëhet për arsye të ndryshme: opozita që e bënë për pushtet që është normale se i ka betejat e veta dhe secili këqyr të fitojë poenat, por kjo bëhet e dëmshme kur shkon në dëm të sigurisë kombëtare... Lufta hibride në këtë vend sponsorizohet edhe nga disa oligarkë që kanë pasur interesa të shtetit përpara, apo kanë pasur lidhje direkte me shtetin pra kanë marrë para prej shtetit me lidhjet që kanë pasur në pushtetet e kaluara. Pastaj është edhe një luftë prej disa gazetarëve dhe mediave”, ka thënë ai në “Konfront”.