Dy pozita të rëndësishme brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë plotësuar së fundmi.
Ajo e zëvendëskryeshefit të Sekretarit dhe ajo e Drejtorit Ekzekutiv të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim.
Për pozitën e parë, në listën e ngushtë kanë qenë 9 kandidatë e për të dytën 6 kandidatë i kanë plotësuar kushtet.
Kandidati Besnik Buzhala, ka dalë më së miri në garën për zëvendëskryeshef, ndërsa Yll Buleshkaj për atë të Drejtorit të ZRPPC-së.
Konkursi për këto pozita ka qenë publik, pavarësisht se dy pozitat janë pozita të larta drejtuese, dhe përkitazi me Ligjin për Shërbimin Civil, për të njëjtat do të duhej fillimisht të kishte konkurs të brendshëm në KQZ.
Një gjë të tillë, e parasheh neni 18 i këtij ligji.
E kontaktuar nga KTV-ja, Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, lidhur me këtë çështje, ka thënë të mos ketë pasur asnjë shkelje.
Për këto pozita, sipas Dakës, që ka qenë kryesuese e panelit përzgjedhës në të dyja rastet, kanë legjislacion sekondar si institucion i pavarur me të cilin përzgjidhen kandidatët për këto pozita.
“Pozitat në fjalë (Kryeshefi i Sekretariatit, zëvendëskryeshefi i Sekretariatit, Drejtori ekzekutiv i ZRPPC-së dhe zëdhënësi i KQZ-së) janë pozita që në bazë të Ligjit për Zgjedhjet, zgjidhen nga Komisioni Qendror Zgjedhor, si institucion i pavarur dhe rekrutimi për to bëhet në bëhen në bazë të udhëzimit administrativ që është nxjerrë nga institucioni ynë, e jo sipas Ligjit për Shërbyesit Civilë”, ka thënë Daka.
Megjithatë, lidhur me pretendimet për këto shkelje në këtë konkurs, janë paralajmëruar ankesa në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civilë.
Zyra për Regjistrimin e Subjekteve, së fundmi ka qenë temë diskutimi, shkaku i propozimeve për ndryshimin e rolit të saj, me projektligjin për Financimin e Partive Politike.