Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se do të punojë me të gjitha forcat që të mos e lejojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Daçiq në një intervistë për “Kurir”, ka thënë se ka nisur të merret me këtë çështje që kur mori punën e ministrit të Jashtëm pak ditë më parë. Ai ka paralajmëruar edhe se do të ketë shtete të tjera që do ta tërheqin njohjen për Kosovën.
“Që në ditën e parë të kthimit tim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë kam trajtuar pikërisht këtë çështje, sepse edhe kjo është pjesë e presionit të përgjithshëm që po ushtrohet ndaj Serbisë. Nuk jemi në një pozitë të favorshme, nuk është sekret kjo, sepse pranimi i anëtarëve të rinj në Këshillin e Evropës nuk kërkon pëlqimin e të gjithëve, por të dy të tretës së anëtarëve. Në anën tjetër, lobimi i Prishtinës për të hyrë në këtë organizatë ka vazhduar për një kohë të gjatë, me vite dhe ne kemi bërë përpjekje të madhe deri më tash që të mos ndodhë kjo. Ne do të vazhdojmë të punojmë me forca të plota, si ndaj Këshillit të Evropës ashtu edhe ndaj të gjithë anëtarëve, sepse e dimë shumë mirë se pranimi i Kosovës do të ishte precedent i rrezikshëm dhe një goditje e rëndë për këtë organizatë. Ne gjithmonë u themi atyre qartë se duke hapur derën për Kosovën, do të hapim derën edhe për cilindo territor tjetër separatist që nesër të kërkojë anëtarësimin në Këshill të Evropës”, tha Daçiq.
I pyetur nëse do të ketë tërheqje të reja të njohjeve të Kosovës, Daçiq, ka thënë se është shumë reale kjo.
“Jo vetëm që është e mundur, por është reale. Me kushtin që Prishtina shkelë Marrëveshjen e }ashingtonit dhe fillon sërish të kërkojë pranim në organizata ndërkombëtare. Ky nuk është kërcënim, ne kërkojmë që të respektohet ajo që është rënë darkord. Dhe nëse nuk respektohet, atëherë e dimë si të përgjigjemi”, tha Daçiq.
Daçiq pak ditë më parë ka marrë postin e ministrit të Jashtëm të Serbisë, duke e zëvendësuar Nikola Selakoviqin.
Daçiq në intervistë për “Kurir” ka folur edhe për çështjen e targave. Ai ka thënë se “Prishtina dëshiron të ketë përshkallëzim”.
“Për se di të satën herë po e shohim lojën e njëjtë që e dikton Prishtina – nëse nuk ndodh siç duan ata, atëherë do të ketë dhunë. Kjo është e vetmja politikë që kanë, pavarësisht nëse në qeveri është Kurti, Haradinaj, Thaçi apo cilido. Le të diskutojnë me ta ata që u kanë lejuar gjithmonë sjellje të tilla destruktive. Kanë në tavolinë një propozim nga Perëndimi që të shtyhet riregjistrimi, është propozim i arsyeshëm, sepse eliminon mundësinë e përshkallëzimit, çon në qetësim dhe dialog, dhe qartësisht nuk është ajo çfarë i përgjigjet Kurtit. Në çdo rrethanë, ne sigurohemi që bashkatdhetarët tanë të jenë të sigurtë të mos ekspozohen ndaj ndonjë rreziku, pavarësisht se sa shumë është i mundur kur në Prishtinë keni një ekip agresiv në pushtet. Kjo është një çështje qendrore për ne, siç ka qenë edhe më herët, që të bëjmë maksimumin për të mbrojtur serbët në Kosovë e M.”, tha Daçiq.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjimin që Qeveria e Kosovës nuk ka shtyrë afatin për implementimin e vendimit për targa. Afati i fundit për riregjistrim falas të veturave nga ato me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronim të qyteteve të Kosovës për në targa legale RKS është 31 tetori. Pas kësaj date, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka shkallëzim të masave.
“Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë të premten.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se nuk është optimist për një marrëveshje me Kosovën, por thotë se është e rëndësishme, dhe se ka mundësi për të bërë këtë.
“Ne duam kompromis, marrëveshje dhe respektim të atyre që dakordohen, pasi kjo është mënyra e vetme për stabilitet e paqe, të dimë se kemi një marrëveshje mes serbëve e shqiptarëve që do të zgjasë me kohë edhe për gjeneratat e ardhshme. Ne kemi mundësinë për këtë, por edhe presion të madh që të mbrojmë vendin dhe popullin tonë. Jam I sigurt se deri tash e kemi bërë me sukses dhe do ta bëjmë”, tha Daçiq.