Vizita e Papa Françeskut në Serbi do të ishte në interes të shtetit dhe të kombit, prandaj do të ishte e rëndësishme që vendi ynë të dakordohej për këtë. Kështu ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, duke shtuar se roli i Vatikanit është i një rëndësie të veçantë në luftën e Serbisë ndaj Kosovës.
Ai, ka shtuar se s’e kupton kundërshtimin e Kishës Ortodokse Serbe për vizitën e Papës, si personalitet i parë i religjionit katolik, por ai është edhe personalitet politik.
“Do të doja që rreth kësaj të arrihej pajtimi e sidomos do të dëshiroja që të kontribuojmë në të, sepse është në interes të shtetit e të kombit, ngase do të ishte katastrofale që Papa Françesku ta vizitonte Kosovën, ndërkohë që të mos vizitonte Serbinë”, deklaroi Daçiq për TVPink, transmeton televizioni publik.
Ministri Daçiq kujton se Serbia, së bashku me Vatikanin, do duhej ta trajtonin çështjen e Kosovës si çështje që dëmton katolicizmin, sepse Kisha Ortodokse Serbe nuk mundet ta bëjë këtë si e vetme.
Sikundër ka deklaruar ai, marrëdhëniet tona me Vatikanin janë të ndërlidhura me marrëdhëniet tona me Kroacinë, por që duhet tejkaluar kjo. "Është e qartë se çfarë lloj kundërshtimesh kemi ndaj sjelljes në Luftës së Dytë Botërore, por këto vërejtje ndaj Papës dhe Kishës Katolike kanë edhe të tjerët që ishin viktima të asaj lufte dhe roli i tyre është ende problematik dhe i diskutueshëm”.
Ministri ndërkohë iu kthye edhe disa komenteve të shpeshta të shfaqura nëpër medie se Papa asnjëherë nuk ka shprehur dëshirën ta vizitonte Serbinë dhe para kamerave është paraqitur dokumenti, ku i ngarkuar me çështje të Vatikanit, më 2016 iu kishte drejtuar kryetarit të atëhershëm Tomisllav Nikoliq.
Në dokument thuhej se Papa ka pranuar ftesëne kryetarit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ku shihej data e propozuar e vizitës që ishte më 21 dhe 22 maj, 2016.
“Por kryetari Nikoliq është konsultuar me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, me ç’rast vizita e Papës ishte anuluar. Kjo është shumë gabim dhe e dëmshme, sepse po luajmë me interesat tona kombëtare. Unë respektoj të gjitha arsyet e kishës sonë, por ardhja e Papës është në interesin tonë ", theksoi Daçiq.
Ai më tej shtoi se është e domosdoshme që zyrtarët tanë të takohen me kreun e Kishës katolike.
“Thaçi, Haradinaj e të tjerë shkojnë për vizitë te Papa, thuaj për çdo muaj dhe kërkojnë njohjen e Kosovës, ndërsa ne refuzojmë Papën të na vizitojë vendin tonë dhe që së bashku të luftojmë për interesat tona”, deklaroi Daçiq.