Arbëri

D+ publikon shkeljet në prokurim publik në katër ndërmarrje publike

Demokraci Plus (D+) ka publikuar raportin me titull “Monitorimi i prokurimit publik në ndërmarrjet publike: ‘Prishtina Parking’, ‘Trafiku Urban’, ‘Kuzhina Qendrore’ dhe ‘KRU Prishtina’".

Në këtë raport janë përfshirë katër tenderë në këto ndërmarrje publike.

Tenderi i parë ka të bëjë me furnizim me pajisje teknologjike i ndërmarrjes “Prishtina Parking”, tenderi i dytë ka të bëjë me servisim të aparateve për fikjen e zjarrit i “Trafikut Urban”, tenderi i tretë ka të bëjë me furnizim dhe montim të paneleve solare i ndërmarrjes “Kuzhina Qendrore”, ndërsa tenderi i katërt ka të bëjë me furnizim me klor të gazët dhe hipoklorur natriumi i Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

Në njoftimin e organizatës D+ janë bërë të ditura disa nga gjetjet kryesore.

Sipas njoftimit ”Prishtina Praking” ka favorizuar një kompani të caktuar.

“N.P.L. ‘Prishtina Parking’ ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik, ku për blerjen e monitorëve ka favorizuar një markë të caktuar, duke vendosur një shifër që të dërgon vetëm te monitori i markës ASUS”, thuhet në njoftim

“Trafiku Urban” thuhet se nuk ka menaxhuar përgjegjshëm kontratën në tenderin e monitoruar.

“N.P.L. ‘Trafiku Urban’ nuk ka menaxhuar përgjegjshëm ekzekutimin e kontratës për servisimin e aparateve për fikjen e zjarrit, ngase nuk janë servisuar aparatet siç janë paraparë dhe nuk është realizuar pagesa sipas planifikimit”, thuhet në njoftim.

Shkelja janë gjetur edhe në tenderët e “Kuzhinës Qendrore” dhe “KRU Prishtinës”.

“N.P.L. ‘Kuzhina Qendrore’ ka shpërblyer me kontratë një operator ekonomik i cili nuk i ka përmbushur kërkesat e vendosura në dosje të tenderit; K.R.U. ‘Prishtina’ ka shkurtuar afatin kohorë për dorëzim të ofertave në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik”, thuhet në njoftim.