Arbëri

Çrregullimet mendore e abuzimet me narkotikë në rritje, 6 shtretër për trajtim

Shifrat e pacientëve të cilët shfaqin shenja të ankthit dhe stresit post-traumatik janë rritur njësoj sikurse edhe rastet e abuzimeve të të rinjve me substanca psikoaktive. Por Klinika e Psikiatrisë ka vetëm 6 shtretër për trajtimin e këtyre rasteve. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se nga 800 hospitalizime në vit, 40 deri 50 për qind e pacientëve janë me çrregullime psikotike. Mjekët thonë se ende nuk ka një strategji e cila do t’i adresonte problemet, derisa MSH-ja ka thënë se strategjia do të hartohet pas rekomandimeve që do të dalin nga raporti i vlerësimit mbarëkombëtar në shëndetin mendor

Klinika e Psikiatrisë është duke u përballur me rritje të numrit të pacientëve që kanë kriza të ankthit, por edhe kriza nga përdorimi i substancave narkotike. Në vendin me mbi 45 mijë përdorues të drogës janë vetëm 6 shtretër për t’i trajtuar ata.

Të dhënat tregojnë që situata në Klinikën e Psikiatrisë është duke u rënduar edhe nga pasojat e COVID-19 pas rritjes së numrit të pacientëve me çrregullime të ankthit.

Faton Kutllovci, drejtor i Klinikës së Psikiatrisë, ka thënë se nuk kanë të dhëna të sakta për rritjen e numrit, por të dhënat e tyre i bazojnë në bazë të vizitave ambulatore.

“Rastet që kanë shënuar rritje janë çrregullimet neurotike, ankthi dhe çrregullimet e ngjashme me ankthin. Nga numri i përgjithshëm i diagnozave apo çrregullimeve mendore që marrin trajtim ambulantor në Klinikën e Psikiatrisë, çrregullimet neurotike e përbëjnë përqindjen më të madhe”, ka thënë Kutllovci.

Trajtimi i këtyre pacientëve është problematik, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe një strategjie të qartë, e cila do t’i adresonte pasojat në shëndetin mendor nga pandemia.

“Shëndeti mendor duket si shërbim dytësor për nga rëndësia e vet. Strategji të re nuk ka, është duke u punuar, por është edhe qëndrimi i Komisionit për Shëndetësi i Parlamentit, i cili ka dhënë 15 pika ku duhet të punohet shumë në ndryshimin e legjislacionit në veçanti për trajnimin e detyrueshëm, i cili është shumë i rëndësishëm, pasi ndërlidhet me kriteret e anëtarësimin e Kosovës në institucionet evropiane. Mirëpo është duke u bërë shumë pak dhe vetë pacientët tanë të margjinalizuar duke filluar prej familjes edhe në shoqëri e në vendet e tjera”, ka thënë Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë. Drejtori i qendrës telefonike “Linja e Jetës”, Bind Skeja, ka thënë se statistikisht njëri prej çrregullimeve më të mëdha është depresioni, pasur prej ankthit dhe stresi post-traumatik.

“Në Kosovë sidomos stresi post-traumatik është problem për shkak se jemi shtet i pasluftës dhe shkon e patrajtuar prej institucioneve. Statistikat për sa janë të pranishëm nuk ka shumë. Nuk ka një analizë gjithështetërore për krejt popullatën. Strategji nuk ka, kjo është super e mangët sot”, ka thënë Skeja.

Përpos traumave nga stresi, raportet e Klinikës flasin edhe për rritjen e rasteve të përdoruesve të drogës.

Të dhënat tregojnë që në vend janë rreth 45 mijë persona që abuzojnë me narkotikët, mirëpo në klinikë ka pak shtretër për t’i trajtuar ata.

“Në këto rrethana, në repartin tonë që i ka vetëm gjashtë shtretër, bëhet vetëm detoksikimi dhe trajtohen vetëm personat që janë të motivuar për të ndërprerë abuzimin me këto substanca. Ne nuk kemi mundësi as teknike e as profesionale aktualisht për t’i trajtuar këto raste. Do t’i dyfishojmë. Aktualisht i kemi 6, do t’i bëjmë 12, me mundësi edhe 15”, ka thënë Kutllovci.

Momentalisht në Kosovë nuk ka një strategji valide për kujdesin mendor.

Ministria e Shëndetësisë në përgjigje me shkrim ka konfirmuar se strategjia nacionale për shëndet mendor do të hartohet pas rekomandimeve që do të dalin nga raporti i vlerësimit mbarëkombëtar në shëndetin mendor.

“Sa i përket Strategjisë Nacionale për Shëndet Mendor (Planit të Veprimit për Shëndet Mendor), do të hartohet pas rekomandimeve që do të dalin nga raporti i vlerësimit mbarëkombëtar në shëndetin mendor, aktivitet i iniciuar nga Divizioni i Shëndetit Mendor përmes sekretarit të përgjithshëm, i cili pritet së shpejti të realizohet. Plani i Veprimit për Shëndet Mendor do të jetë pjesë e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.