Gripi sezonal është duke u përhapur me shpejtësi të madhe muajt e fundit. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë kanë dalë me këshilla se si të mbrohen qytetarët. Ndryshe, dy muajt e fundit ndoshta ishin më të qetët sa u përket rasteve pozitive me COVID-19, që nga shpërthimi i pandemisë
Shumë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore këtë të diele në Qendrën Kryesore të Mjekësore Familjare në Prishtinë.
Mjekët kanë konfirmuar se kohëve të fundit është shtuar dukshëm numri i pacientëve. Dhe pas shumë kohësh COVID-19 nuk është telashi kryesor për qytetarët, por gripi sezonal.
Prapa kamerave mjekët kanë thënë se simptomat e këtij gripi janë mjaft të rënda, dhe se vaksinimi është i nevojshëm sidomos për personat në moshë dhe ata me imunitet të dobët.
Këshilla të ngjashme sikurse për virusin COVID-19 ka dhënë Ministria e Shëndetësisë edhe për gripin sezonal.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka përsëritur se mbajtja e maskës, distanca dhe shmangia e vendeve të mbingarkuara me njerëz janë të domosdoshme për t’u ruajtur nga viruset.
“Nëse keni shenja të gripit mbani së paku një metër distancë prej njerëzve. Mbuloni hundën dhe gojën me faculetë në rast të kollës apo teshtitjes. Hidheni faculetën menjëherë pas përdorimit. Shmangni prekjen e syve apo gojës me duar të papastruara. Nëse keni shenja të gripit, mos shkoni në punë, shkollë apo vende me shumë njerëz, por qëndroni në shtëpi”, thuhet në këshillën e MSH-së për qytetarët.
Mbi 15 mijë persona të prekur me gripin sezonal janë raportuar vetëm për dy muajt e fundit. Ndërkohë, dy muajt e fundit ndoshta ishin më të qetët sa u përket rasteve pozitive me COVID-19, që nga shpërthimi i pandemisë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se ky virus është i zakonshëm, porse, sipas tyre, qytetarët duhet të kenë kujdes sepse simptomat nuk janë të lehta.
IKSHPK-ja ka bërë thirrje që personat e moshuar, ata me sëmundje kronike e imunitet të dobësuar të vaksinohen kundër gripit sezonal.
“Instituti Kombëtar apelon te të gjithë drejtorët komunalë të shëndetësisë të ngrihet niveli i vigjilencës dhe i raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë. E përsërisim rekomandimin tonë që Inspektorati shëndetësor të mbikëqyrë të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse. Virusi A bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm sezonal dhe rekomandohet vaksinimi për të gjithë personat e moshuar, personat me sëmundje kronike dhe personat me imunitet të dobësuar”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Ndërkohë, në palestrën “1 Tetori” përveçse për vaksinim kundër COVID-19, qytetarët po vaksinohen edhe kundër gripit sezonal.
“Vaksinat i kam marrë të gjitha deri më tani, e kam marrë vaksinën kundër gripit, të gjitha këto që i kam marrë nuk kam pasur kurrfarë problemi, as dhimbje. Prandaj apeloj te të tjerët që të vijnë ta marrin këtë vaksinë, sepse kjo është shumë e nevojshme, e dobishme për mua dhe për njerëzit e tjerë dhe për mospërhapjen e COVID-19”, ka thënë Sami Reizraka, banor i Prishtinës.
Ditëve të fundit, pas kërkesave të shumta për trajtim, në disa komuna është shtuar numri i personelit shëndetësor për t’i ofruar shërbimet e tyre.