Shtabi emergjent për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Komunën e Prishtinës ka marrë vendim që puna në këtë komunë të organizohet vetëm me staf esencial, derisa është bërë e ditur se do të mbyllen qendrat për të moshuarit, deri në vendimin e ardhshëm.
Sipas një komunikate të Komunës, në këtë mbledhje të shtabi emergjent u diskutua vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. U mor vendimi që të gjithë punonjësit e Komunës së Prishtinës, ndërmarrjeve publike lokale, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme, në mënyrë që t'iu lejohet hyrja në ambientet e punës, siç është certifikatën e vaksinimit me më së paku dy doza kundër COVID-19; personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të posedojnë testin RT- PCR negativ për COVID 19 jo më të vjetër se një javë.
“Të organizohet puna vetëm me staf esencial. Administrata është e obliguar të caktojë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura më lart, obligohet administrata të ofrojë dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objekteve të Komunës si dhe në ambientet e brendshme, obligohet administrata që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19, obligohet administrata që të kryej dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave të mbyllura, ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë, procesi edukativ-arsimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor zhvillohet sipas rekomandimeve për institucionet parashkollore të IKShPK të datës 20.01.2022, të mbyllen qendrat për të moshuarit, deri në vendimin e ardhshëm”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, është bërë e ditur se sipas të dhënave të fundit që kemi mbledhur, 78% e punonjësve në Komunë të Prishtinës janë të vaksinuar me dy doza, 15% me një dozë, kurse 7% në proces të vaksinimit.