Arbëri

Ambulanca ajrore e Zvicrës “Rega” gjatë gushtit aterroi 21 herë në Prishtinë

Gjithnjë e më shumë mërgimtarë të ardhur nga Zvicra po sëmuren rëndë nga virusi korona. Ata po dërgohen në Zvicër nga “Rega”, një kompani e specializuar për bartjen e pacientëve.

“Rega” (në anglisht: Swiss Rescue) është një kompani ajrore zvicerane që disponon me avionë specialë për bartjen e pacientëve që sëmuren edhe jashtë Zvicrës. Vetëm gjatë gushtit, sipas gazetës zvicerane “Blick”, ambulanca ajrore “Rega” ka aterruar në aeroportin e Prishtinës 21 herë për të marrë pacientët e sëmurë nga koronavirusi. Në Shkup “Rega” ka aterruar 9 herë, pastaj në Beograd dhe në Napoli dhe Brindizi (nga 4 herë). “Rega” për arsye të mbrojtjes së të dhënave, nuk ka ofruar detaje mbi fluturimet, por gazetarët e “Blick” kanë zbuluar përmes portalit “Flightradar24” se Prishtina i prin listës me 21 aterrime.

Spitalet zvicerane po ankohen mbi numrin e madh të të hospitalizuarve. Shumë prej tyre janë shqiptarë. Dhe shumë prej tyre janë në gjendje aq të rëndë, saqë po mbahen gjallë nga makina e mushkërive. Të gjithë pacientët shqiptarë janë të pavaksinuar.

Firma “Medicall AG”, e cila organizon transportin e pacientëve nga të gjitha anët e globit për në Zvicër, ka bërë të ditur se në listën e pritjes janë aktualisht 36 transporte të pacientëve. 20 pacientë, më shumë se gjysma, ndodhen në spitale në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Te 40 për qind e pacientëve të hospitalizuar në Zvicër për shkak të koronës, mjekët kanë arritur të përcaktojnë qartë vendin ku janë infektuar. Prej tyre 80 për qind i kanë kaluar pushimet në Europën Jugore, njoftoi një zyrtar zviceran.

Në fshatin Linthal në kantonin e Glarusit janë mbyllur shkolla private dhe çerdhja për shkak të numrit të lartë të infektimeve. Në shkollat e kantonit Aargau nga 1 shtatori nxënësit nga klasa e pestë duhet të bartin maskë gjatë mësimit. Departamenti i Shtetit i SHBA-ve ka paralajmëruar qytetarët amerikanë që të heqin dorë nga udhëtimet në Zvicër. Të hënën autoritetet zvicerane njoftuan për 6198 infektime të reja brenda 72 orëve. Pati 8 raste të vdekjes dhe 125 pranime në spital.