Iniciativa CorrWatch ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për emërimin e Irfan Lipovicës si drejtor të Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke kërkuar anulimin e tij për shkak të parregullsive të evidentuara në procesin e përzgjedhjes.
CorrWatch, e cila kishte ngritur shqetësime edhe më 26 nëntor 2024, ka deklaruar se MINT-i ka shkelur Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke përfshirë në listën e ngushtë kandidatë që nuk i kanë plotësuar kriteret, sidomos përvojën e nevojshme drejtuese.
Sipas CorrWatch, mga dy kandidatët e verifikuar paraprakisht, vetëm njëri kishte plotësuar kushtet ligjore. Përkundër kësaj, siç thotë kjo organizatë, procesi nuk u anulua dhe të dy kandidatët u shpallën fitues për të kaluar në fazën finale të emërimit.
“Pavarësisht shqetësimeve të ngritura dhe shkeljeve të identifikuara, Qeveria ka legjitimuar një proces të parregullt dhe të paligjshëm. Ky emërim shkel parimet e integritetit dhe meritokracisë në administratën publike”, thuhet në reagimin e CorrWatch, e cila kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe përgjegjësi institucionale për shkeljet e evidentuara.
CorrWatch është një nismë e shoqërisë civile e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).
Lipovica është njëri nga tre të dyshuarit për përfshirjen në aferën e njohur si “rezervat shtetërore”.