Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve, ka deklaruar se bujqit kosovarë po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, por edhe me çmime të ulëta të grurit. Ai ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se çmimi i grurit zakonisht bie në periudhën kur kryhen të korrurat, e sipas Tahirit, kjo bën që bujqit të mos i mbulojnë shpenzimet e tyre.
Ai ka kërkuar mbështetje nga Qeveria që të ndihmohen në mbulimin e shpenzimeve.
“Në kohën kur korret gruri po bien çmimet dhe çmimin e përcakton bursa, por pikërisht në atë kohë po bie çmimi. Ky çmim s’e mbulon as koston e shpenzimeve, sado që janë subvencionevet. Mullinjtë po e absorbojnë sasinë e prodhimtarisë, por po vonojnë me pagesa. Sivjet është ky problem...Qeveria është mirë që në kohën kur vëren se çmimet janë të ulëta, të stimulojnë ose me subvencionim direkt për të rritur çmimin që të mbulohen shpenzimet”, ka deklaruar Tahiri.
Për çështjen e mungesës së punëtorëve, Tahiri ka deklaruar se ka rënë kultivimi i kulturave të pemëtarisë.
“S’po ka as fuqi punëtore. Profiti është më i madh, por nuk mund të të gjithë të merren me grurë pasi duhet përkujdesje, prandaj për mungesë të fuqisë punëtore dhe të angazhimit, kemi më pak kultivim të këtyre kulturave. Fatkeqësisht kemi shumë fermerë sidomos ata që kanë pasur serra, për treg, një pjesë e madhe kanë hequr dorë nga prodhimtaria. Kanë hequr dorë për mungesë të fuqisë punëtore”, ka thënë ai.
Tahiri ka kërkuar që institucionet t’ua japin fermerëve subvencionet në periudhën kur iu duhen më së shumti.
“Pa masa mbrojtëse është problem bujqësia, pasi s’ka kulturë bujqësore që duhet të trajtohet pa pesticide. Ato po kushtojnë, e në kohën kur ato duhen, bujqit s’po i kanë subvencionet dhe aty po ka probleme. Disa s’i përdorin pesticidet, por po ka telashe pasi ka paraqitje të sëmundjeve dhe po ulin rendimentin e kulturave bujqësore”, u shpreh ai.
Kreu i Federatës Sindikale të Bujqve është shprehur se pritet që të rritet rendimenti i të mbjellave me grurë në 2025-n, e në këtë sipas tij kanë ndikuar kushtet e favorshme klimatike për fermerët.
“Sipas statistikave, në vitin e kaluar kanë qenë rreth 53.000 hektarë, e sivjet presim të shkojë deri në 60.000 hektarë. 15 për qind ka sipërfaqe më shumë se vjet”.