Qytetarët shprehin ankesa se vala më e fundit e shtrenjtimit ka ndikuar që çmimet për produktet bazë të jenë më të larta sesa në pjesën më të madhe të vendeve evropiane. E kjo, sipas tyre, ua bën të vështirë që ta përthekojnë muajin me pagat aktuale që i ofron Kosova. Ekonomistët numërojnë disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve esenciale ushqimore viteve të fundit po e rëndon përherë e më shumë xhepin e konsumatorit në Kosovë.
Qytetarët shprehin ankesa se vala më e fundit e shtrenjtimit ka ndikuar që çmimet për produktet bazë të jenë më të larta sesa në pjesën më të madhe të vendeve evropiane.
E kjo, sipas tyre, ua bën të vështirë që ta përthekojnë muajin me pagat aktuale që i ofron Kosova.
“Po i dëgjoj shumicën e njerëzve që po ankohen me të drejtë për ngritjen e çmimeve të produkteve të artikujve të ndryshëm. Nuk arsyetohet kjo, sepse po dëgjojmë në rajon çmimet janë shumë më të lira. Dëgjova pak më parë se një bukë në Slloveni kushton 19 centë, atëherë nëse në Slloveni kushton 19 centë dhe te ne 50 centë, si arsyetohet kjo?”, ka thënë Mirsad Krasniqi, qytetar.
Aktualisht çmimi për një litër vaj në tregun e Kosovës sillet rreth 1.30 euro. Një kilogram domate mund të blihet me çmim deri në 1.50 euro, 30 vezë kushtojnë rreth 2.5 euro, një kilogram mish nga 8 deri në 9 euro, ndërsa një kilogram miell është rreth 0.70 centë.
Kur i krahason këto çmime me ato në tregjet e vendeve të ndryshme të Evropës, mërgimtari Mustafë Bardhi, i cili prej vitesh jeton në Belgjikë, thotë se janë shumë më të larta. Ai thotë se ky trend i çmimeve është i pakuptimtë pasi në vendet e Perëndimit standardi jetësor dhe pagat janë theksueshëm më të larta sesa në Kosovë.
“Nuk e di se si jeton ky populli ynë. Të gjitha produktet janë më të shtrenjta, përveç produktet që janë më lirë në Kosovë janë vetëm domatet dhe specat, të tjerat janë të gjitha më të shtrenjta se në Evropë. Mendimi jem është që të arrihet ndonjë marrëveshje e me u ul çmimet dhe me i rritë pak rrogat që të vijnë në një mesatare, sepse rrogat janë shumë të ulëta. Çka mund të bësh me 250 euro apo 300 euro në mesatare, duhet me pagu rrymë, me hëngër, me pi, çka mbetet aty, krejt shkojnë harxhime. Kur kam kaluar një ditë këndej shumë pak njerëz i kam parë në shesh, këtu nuk do të mbetet askush, kush s’jeton këtu se s’ka rroga, Qeveria nuk po reagon se ata i kanë rrogat shumë të larta, ka edhe korrupsione, edhe në të kaluarën edhe tash”, ka thënë Mustafë Bardhi, qytetar me banim në Perëndim.
Për të përballuar më lehtë situatën me çmimet, qytetari Azem Alshiqi kërkon që shteti të punojë në drejtim të përmirësimit të standardit jetësor.
Qytetari tjetër Azem Alshiqi ka kërkuar përkujdesje më të madhe për popullatën.
“Së pari duhet të kujdesen për standard të popullatës e pastaj vijnë çmimet, sepse nuk mund të shkojnë çmimet në qiell e standardi në tokë apo nën tokë. Standardi është i ulët dhe kështu që me këtë standard dhe me këtë kujdes ne as në Këshill të Evropës dhe as në Evropë nuk kemi çka lypim, si rast social Evropa nuk e pranon askënd”, ka thënë ai.
Shpjegimi i ekonomistëve
Ekonomistët thonë se janë disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Sipas tyre, ndikim fillimisht ka pasur pandemia COVID-19 gjatë viteve 2020 e 2021, përcjellë nga çrregullimet e sistemit ekonomik në vend e në Evropë, si dhe lufta në Ukrainë dhe së fundi ajo në Gaza.
Një tjetër faktor është inflacioni. Ekonomisti Adem Qorrolli thotë se gjatë këtij viti shkalla e inflacionit, që ka prekur drejtpërsëdrejti jetesën e qytetarëve, ka arritur deri në 5 për qind.
“Kur flasim për pjesën e inflacionit, sa më shumë që institucionet e luftojnë inflacionin aq më pak ndihet te qytetarët dhe te shporta e konsumit, te produktet esenciale dhe jo te produktet e luksit. Jemi një shtet që ndikohemi nga importi, sepse nuk jemi shtet industrial dhe sigurisht kur jemi shtet me import të madh kundrejt eksportit që shihet edhe në bazë të entit të statistikave, që është 7 me 3 dhe realisht aty shihet se ne blejmë edhe produkte, por edhe çmime dhe vetëm ne atyre çmimeve që ne i blejmë ia shtojmë edhe marzhën e fuqisë punëtore që më nuk është e njëjtë, është dyfishi i asaj që kemi paguar për dallim për fuqi punëtore”, është shprehur Adem Qorrolli, ekonomist.
Qorrolli thotë se në dobësimin e gjendjes ekonomike të familjeve, krahas rritjes së çmimit të produkteve esenciale ushqimore, viteve të fundit ka ndikuar edhe rritja e atyre për rrymën dhe ujin e shpenzuar, si dhe e karburanteve. Ai e shpreh mendimin se institucionet duhet të ndërmarrin masa.
“Kemi rritje sa më të madhe të çmimeve, duke mos përjashtuar edhe një krahasim me vendet e huaja ku kam bërë një hulumtim me produktet në Gjermani, Francë dhe në Kroaci, si vende më afër, kemi litrën e vajit pothuajse të njëjtë, por cilësia dallon shumë, edhe te pjesa e miellit e kemi bukën që në Kroaci është 30 centë, në Gjermani dhe në Francë sillet 40 centë, kurse në Kosovë është 50 centë, sepse edhe produktet esenciale kanë tatime po të njëjta sikurse produktet e luksit në Kosovë. Kjo është ndikimi ku institucionet duhet ta shohin më real heqjen e tatimeve të produkteve esenciale ku çdo produkt duhet të jetë më i lirë se 18 për qind dhe të paktën të jetë një çmim real i përballueshëm për tregun ose të ndërmarrin një përjashtim institucional apo i shpejtë, një ndihmë e shpejtë ku të rritet paga mesatare dhe pjesa e rimbursimeve institucionale qoftë për prodhuesit apo ata industrialë dhe të rriten edhe shtesat sociale në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.
E Selatin Kaçaniku, përfaqësues i organizatës “’Konsumatori’’, shpreh vërejtjen se në tregun e Kosovës vërehet një tendencë e vazhdueshme edhe për manipulim me çmimet, për çka thotë se Qeveria ka qëndruar e heshtur.
Dyshimet për manipulime
“Ka faktorë të arsyeshëm, por ka edhe faktorë të paarsyeshëm. Faktorët e arsyeshëm dihet se janë gjeopolitika, lufta në Ukrainë, lufta e re në Gaza, kërcënimet për luftëra të reja dhe shtrenjtimet e derivateve. Por do të merresha me fajësitë dhe përgjegjësitë e mundshme e që kanë të bëjnë me privatizimet e gabuara, varfërimin e shportës nga prodhuesit vendorë në mënyrë që kishin pasur mundësi të ndikojnë në çmime dhe në inflacion, në mosrealizimin e premtimeve partiake se gjatë fushatave të gjitha partitë na kanë bindur dhe na kanë premtuar se një pjesë të produkteve të importit do të zëvendësohen me prodhime vendore dhe shumë të tjera”, ka deklaruar Kaçaniku.
Përveç me çmime, Kaçaniku thotë se prodhuesit vendorë manipulojnë edhe me cilësinë e produkteve që i plasojnë në tregun e brendshëm, krahasuar me ato që i destinojnë për eksport jashtë vendit.
“Disa prodhues, e në veçanti korporatat e mëdha, të cilat e studiojnë dhe e njohin më mirë karakterin psikologjik të konsumatorëve, një cilësi e prodhojnë për tregun vendor, një cilësi për tregun e Bashkimit Evropian dhe cilësinë e tretë, siç i themi ne popullorçe “Zh”, e çojnë për Kosovë dhe e kanë dërguar në të kaluarën në Kroaci. Dhe, ne nuk reagojmë sikur të mos kemi institucione, sikurse nuk kemi njerëz të cilët ne i paguajmë për të reaguar”, ka shtuar ai.
Vërejtje për cilësinë kanë edhe qytetarët, të cilët kërkuan që përveç për çmimet dhe për ngritjen e standardit jetësor, Qeveria të intervenojë edhe në drejtim të përmirësimit të kualitetit të produkteve që ofrohen nga prodhuesit vendorë.
“Këtu shteti duhet të intervenojë, sepse nuk është mirë kështu. Shpeshherë neve na thonë konsumoni prodhime vendore, por edhe prodhuesi vendor le ta ngritë pak cilësinë, sepse cilësia lë shumë për të dëshiruar, nuk është cilësia e mirë. Duke mos na dhënë ata cilësi të mirë në produktet e tyre, me dashje apo pa dashje po na çojnë që të konsumojmë prodhime të armikut”, ka thënë qytetari Mirsad Krasniqi.
E Kaçaniku thekson se krejt këto kanë gjeneruar rëndimin e gjendjes financiare, veçanërisht të shtresës më të varfër të qytetarëve.
“Statistikat tona tregojnë për ngritje çmimesh dhe për ngritje të inflacionit edhe me një zero mbrapa. Do të thotë ne po e shohim situatën, gjendjen socio-ekonomike, në nivel më të rëndë se që e sheh dikush tjetër. Prandaj po ua rikujtoj se qytetari konsumator, dikur i ashtuquajtur i varfër 30-përqindëshi, në mesin e tyre një e treta me varfëri të skajshme, ka falimentuar”, ka theksuar Kaçaniku.
Situata e krijuar me rritjen e çmimeve për produktet bazë, sipas ekonomistit Qorolli, e përbën njërin prej faktorëve që, sipas tij, ka ndikim në largimin e qytetarëve dhe të rinjve në drejtim të vendeve të Perëndimit.
“Të hyrat në familje nuk janë duke u ndryshuar, kurse pjesa e shpenzimeve është duke u rritur çdo ditë. Kështu që punë për punë janë duke i bërë zgjedhjet në vendet e huaja, institucionet nuk janë duke u marrë me pjesën e migrimit të popullsisë dhe është kjo gjendje reale që Kosova do të jetë një vend për të moshuar dhe do të jetë një vend vetëm sezonal i pjesës së verës dhe i fundvitit, kurse muajve të tjerë Kosova do të jetë një vatër e të moshuarve”, është shprehur ekonomisti Qorrolli.
Mbi shqetësimet e shprehura nga qytetarët rreth rritjes së çmimeve në treg, si dhe mbi planifikimet për uljen e shkallës së inflacionit, në Qeveri nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, të adresuara prej ditësh. Përgjigje nuk kanë ofruar as në Agjencinë e Statistikave të Kosovës në pyetjet mbi trendin e rritjes së çmimeve gjatë viteve të fundit.