Pabarazia mes të hyrave dhe shpenzimeve, ka ndikuar në cilësinë e jetës së familjeve. Mosrritja e pagave në proporcion me rritjen e çmimeve, ka ndikuar në zvogëlimin e fuqisë blerëse. Shkak i kësaj, qytetarët blejnë më pak mallra dhe shërbime me të njëjtën shumë të parave, duke ndikuar në uljen e standardit të jetesës. Inflacioni sipas ekspertëve ka ndikuar në rëndimin e gjendjes sociale dhe psikologjike të tyre
Reduktimi i shpenzimeve është zgjidhje e zorit në betejën e qytetarëve me koston e lartë të jetesës. Rritja e vazhdueshme e çmimeve, ka bërë që shumica prej tyre t’i ndryshojnë zakonet e shpenzimeve, madje të mos i zënë më në gojë produktet e shërbimet e luksit.
Sipas një studimi të UNDP-së, ekonomitë familjare në Kosovë që shpenzojnë më shumë se 200 euro për ushqime kanë përjetuar një rritje prej 20.7 për qind në shpenzimet e tyre ushqimore gjatë së njëjtës kohë. Këtë e konfirmon edhe Ali Malaj, i cili ka dy vjet që ka dalë në pension dhe jeton në familjen me gjashtë anëtarë. Ai thotë, se rritja e çmimeve është më e lartë se shifrat zyrtare dhe se pa ndihmën e familjarëve tjerë vështirë se do të mund t’i mbulonte nevojat elementare.
“Unë jam një familje prej 6 anëtarësh, kështu që 160-170 euro gjërat elementare që janë e kemi kaluar me një kursim për një muaj ditë. Tash nuk mundem as me 350-400 qaty diku, kështu që veç ushqimin pensioni jem nuk e mbulon”, ka thënë Malaj.
Edhe qytetari tjetër Hashim Thaçi nga Prishtina thotë se me pensionin që merr, nuk ia del t’i mbulojë shpenzimet mujore.
“Mos me qenë djemtë që punojnë na kishim mbet askund, kështu që çmimet kanë shkuar tepër. Qeverisë as nuk po i intereson me i këqyr këto çmime, populli është duke vuajtur, por e kemi lyp këtë, kush e ka votuar kështu që le ta mbajë”, ka thënë ai.
Rënia e fuqisë blerëse
Varësia nga importi, ka bërë që Kosova të jetë më e ekspozuar ndaj inflacionit. Goditja tjetër pas asaj të pandemisë Covid-19, erdhi vitin e kaluar me fillimin e luftës në Ukrainë, e cila u shoqërua me rritje të kërkesës.
Shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave për vitin 2022 ishte rreth 12 për qind, ndërsa në 2023 edhe pse pati një stabilizim të rritjes së çmimeve ai u rrit për 3 për qind mbi rritjen paraprake.
Sipas Blend Hasajt, drejtor në Institutin GAP, edhe pse Kosova është një ekonomi e vogël nuk është arritur që të krijohen disa masa që ndikimi të mos jetë direkt tek qytetarët.
“Kemi rritje të çmimit deri në 20 për qind në disa nënkategori të produkteve dhe normalisht që kjo i ka goditur qytetarët, që nuk kanë të hyra të shumta dhe ndikimi ka qenë shumë i madh dhe shto këtu që ka analiza nga Banka Botërore që edhe skemën për ndihmë sociale merr buxhetin më të vogël nga të gjitha skemat e tjera që buxheti i Kosovës mbulon, nuk e ka shenjëstrimin aq të mirë. Jo të gjithë ata që janë të varfër mbulohen nga kjo skemë. Kjo ka ndikuar, që ata të goditën”, thotë Hasaj.
Sipas një ankete të UNDP-së, gjërat ushqimore kanë pësuar rritjen më të madhe nga viti në vit.
“Teksa në vitin 2021, 38.8 për qind e ekonomive familjare shpenzonin 200 ose më shumë euro për gjëra ushqimore, përqindja u rrit në 47.8 për qind në vitin 2022 dhe deri në 59.5 për qind në 2023. Duke qenë se preferencat e konsumit nuk ndryshojnë ndjeshëm në një periudhë kaq të shkurtër kohore dhe fakti që pagat nuk u rritën ndjeshëm, rritja mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së çmimeve gjatë periudhës së vëzhguar - veçanërisht në vitin 2023”, thuhet në studim.
Të hyrat vs shpenzimet
Pabarazia mes të hyrave dhe shpenzimeve ka ndikuar në cilësinë e jetës së familjeve. Mosrritja e pagave në proporcion me rritjen e çmimeve ka ndikuar në zvogëlimin e fuqisë blerëse.
Shkak i kësaj, qytetarët blejnë më pak mallra dhe shërbime me të njëjtën shumë të parave, duke ndikuar në uljen e standardit të jetesës.
Familjet me të hyra më të ulëta sipas Visar Vokrrit, drejtor i hulumtimeve në Riinvest, ndikon më shumë në konsumin e produkteve bazike. Ndërsa, familjet me të ardhura më të larta sipas tij kanë më shumë hapësirë për të manovruar me të hyrat e tyre, duke hequr dorë nga një listë e mallrave të luksit, që t’i mbulojnë nevojat bazike.
“Pagat nuk reflektohen në kohën e njëjtë kur rriten çmimet, ato reflektohen pjesërisht dhe zakonisht ndodhin me vonesë”, ka thënë Vokrri.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka pagën më të ulët mesatare në rajon, përkatësisht 521 euro bruto, ndërsa Mali i Zi ka pagën më të lartë rreth 900 euro bruto, pasuar nga Serbia me 880 euro, Maqedonia me afër 800 dhe Shqipëria me afro 700 euro.
Paga sipas profesorit universitar, Ujkan Bajra, nuk është korrigjuar në raport me shkallën e inflacionit.
“Po të ishte korrigjuar me shkallën e inflacionit, nëse e marrim atë të 2022-s, atëherë në mesatare, paga do të duhej të rritej diku 68 euro në muaj sipas kalkulimeve. Ose këtu kemi aktualisht një pagë neto 460 euro, që po të mbahej fuqia blerëse mbi bazën e inflacionit prej 12 për qind do të duhej një pagë mesatare që të sillej në 560 euro”, ka thënë ai.
Pabarazi ka edhe në mes të sektorëve publikë me atë privatë, që përbën numrin më të madh të tatimpaguesve.
Sipas Blend Hasajt, nga GAP derisa në vendet tjera sektori privat është më atraktiv në Kosovë vazhdon të jetë e kundërta.
“Në sektorin privat nuk kemi marrë sinjale që do të ketë rritje të pagave me rritjen e çmimeve dhe punëtorët në këtë sektor vazhdojnë të marrin goditjet më të mëdha krahasuar me rritjen e çmimeve dhe të kenë më të vështirë të përballojnë rritjen e çmimeve”, thekson Hasaj.
Teksa çmimet rriten, fuqia blerëse zvogëlohet, duke e bërë më sfiduese përballimin e nevojave dhe ruajtjen e standardit të jetesës.
Por, kur shpenzohet më shumë për ushqim e përmbushje të nevojave esenciale, sipas Edison Jakurtit, doktorant i ekonomisë, mbetet pak për arsim, shëndetësi, veshmbathje, rekreacion e kategori të tjera që tejkalojnë minimumin për mbijetesë.
Sipas tij, në Kosovë munguan politikat efektive për zbutjen e ndikimit negativ të inflacionit.
“Vendosja e çmimeve “tavan” nuk ishte politika e parë që do të duhej të mendohej, por në kushtet e Kosovës, ishte ndër kryesoret që do të mund të ndikonte në zvogëlimin e keqpërdorimeve të brendshme. Ajo nuk u bë dhe tash mbetet të menaxhohen pasojat, një ndër të cilat mund të jetë edhe ky trendi i tmerrshëm i grabitjeve e plaçkitjeve”, ka thënë ai.
Masat gjithëpërfshirëse pa efekt
Shtytësit kryesorë të inflacionit në Kosovë ishin rritja e çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe transportit. Fillimi i vitit filloi me një rritje të çmimit të energjisë. Pas kërkesës nga KEDS-i, Zyra e Rregullatorit të Energjisë rriti tarifat e energjisë elektrike për 15.4 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Për zbutjen e kësaj rritjeje, Qeveria mori vendim për subvencionim të tarifave për familjet dhe bizneset që konsumojnë deri në 800 kilovat.
Por, kjo masë sipas Visar Vokrrit nga Riinvest, është e karakterit gjithëpërfshirës dhe si e tillë e ka humbur efektin e saj.
“Unë besoj që është dashur që të ketë një targetim më i mirë sa u përketë përfituesve të këtyre skemave dhe mendoj, që karakteri gjithëpërfshirës e ka zbehur ndikimin që mund të kenë pasur këto lloj skemash në zbutjen e varfërisë”, thotë ai.
E krejt në fund të vitit, Qeveria hapi kuletën e shtetit, duke ndarë para për pensionistë e fëmijë në shumë prej 100 euro.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave janë mbi 385 mijë fëmijë nën moshën 15 vjeçare, që kanë përfituar nga kjo masë si dhe 193 mijë të moshuar mbi 65 vjeç.
Vetëm për këtë masë nga buxheti i shtetit do të derdhen 58 milionë euro. Sipas Agron Demit, ish-drejtor i hulumtimeve në GAP, kjo Qeveri as nuk është lodhur që së paku t’i identifikojë familjet që kanë nevojë për ato 100 euro, duke krahasuar këtë veprim me ato që merrte dikur Qeveria e ish-kryeministrit Hashim Thaçi.
“Vetëvendosja e urren Hashim Thaçin, por fatkeqësisht është ka qeverisë me 'libër' të tij”, ka thënë ai.
Nga viti i kaluar me dy vendime, Qeveria ka ndarë 158 milionë euro në kesh, nga 100 euro për pensionistë, fëmijë e studentë. Por, sipas raportit të Komisionit Evropian, 18 për qind e popullsisë në Kosovë jeton në varfëri apo me 45 euro në muaj.
Ndërkohë vitin e kaluar, transferet sociale kanë arritur 12 për qind të GDP-së, por se vetëm 0.5 për qind e kësaj shume ka shkuar për familjet e varfra.
Mungesa e politikave adekuate sipas profesorit universitar, Ujkan Bajra, do të ndikojë edhe në ikjen e të rinjve.
“Kapitali më i çmuar në këtë vend është rinia që ka potencial të madh, mund t’i shtojë vlerë ekonomisë, por fatkeqësisht nuk po vërehet që ka politika të cilat e nxisin punën e që e rrisin mirëqenien që krijojnë hapësira më të mira për avancim të arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës dhe kështu me radhë. Paga është faktor kyç dhe pavarësisht deklarimeve ne e shohim, që kjo situatë është duke imponuar ulje të durimit dhe nëse dikujt nuk i intereson çështja e braktisjes së vendit, atëherë është çështje tjetër”, ka theksuar ai.

Inflacioni rëndoi shëndetin mendor
Përveç rënies së fuqisë blerëse të tyre, sipas një ankete të UNDP-së, inflacioni ka ndikuar edhe në mirëqenien mendore dhe sociale, duke shkaktuar rritje të stresit.
Rreth 46 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se stresi dhe ankthi i tyre u rritën si rezultat i rritjes së çmimeve, ndërsa 23 për qind janë të shqetësuar për mirëqenien e tyre mendore për shkak të inflacionit.
Rritjen e çmimeve disa qytetarë e shohin edhe si faktor ndikues në rritjen e dhunës në familje. Qani Haliti, profesor i pensionuar i historisë, thotë se kushtet ekonomike e kanë bërë prezent edhe dhunën.
“Nuk ka stabilitet në shtet, shteti si të mos ketë stabilitet nuk ka as në çmime stabilitet. Kjo ndikon tek qytetarët, pensionistët përshembull me këtë rrogë, njerëzit e arsimit me këtë rrogë nuk mund t’i përballojnë, për atë dhe kjo situata që po bisedohet rreth dhunës në familje, kjo është prezent, mos mendo që popullata e ka nxjerrë, por kushtet ekonomike e kanë pru në këtë gjendje që të ketë edhe dhunë në familje, pasi kjo ndikon shumë negativisht në familje”, ka thënë ai.
Remitencat burim për familjet
Remitencat mbeten një burim i rëndësishëm i financave të ekonomive familjare në Kosovë. Sipas UNDP-së, rreth një e treta e ekonomive familjare pranojnë të hyra nga diaspora.
“Edhe pse kriza e çmimeve preku edhe vendet pritëse të diasporës (shumica në Gjermani dhe Zvicër), rënie raportuan vetëm një pjesë e vogël e pranuesve të remitancave”, thuhet në analizën e UNDP-së.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, fluksi i remitancave është rritur gjatë viteve. Vetëm deri në shtator ato tejkaluan vlerën e 1 miliard eurove. Kjo shumë paraqet një rritje prej 11 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Ani se gjatë vitit të ardhshëm pritet një stabilizim i çmimeve, sipas ekonomistëve, ato nuk do të kthehen në nivelin e para pandemisë apo para fillimit të luftës në Ukrainë.
Visar Vokrri nga Riinvest, thotë se familjet në Kosovë do të varfërohen nëse nuk reflektohet inflacioni në të hyrat e tyre.
“Kemi parë që këtë vit ka pasur rënie të trendit të rritjes së çmimeve dhe po shpresojmë që të ketë një stabilizim të çmimeve, por se kjo nuk nënkupton që ato do të kthehen në nivelin e para pandemisë apo para fillimit të luftës në Ukrainë dhe thënë këtë në termin relativ familjet në Kosovë do të varfërohen nëse eventualisht nuk reflektohet ky inflacion edhe në të hyrat e tyre”, ka thënë Vokrri.
E një studim i kryer nga Banka Qendrore Evropiane, thotë se përveç reduktimit të konsumit, ekonomitë familjare mund të marrin hua, t’i përdorin kursimet, t’i rrisin orët e punës dhe të negociojnë për paga më të larta. Por, sipas tij, familjet me të hyra të ulëta nuk kanë aftësi për të ulur konsumin, por se ato marrin kredi për të siguruar paga më të larta.
Derisa çmimet rriten, vendi mund të përballet me një rrezik, për rritje të papunësisë, gjë që do të çojë në rënie të ekonomisë.