Shumë qytetarë kanë bërë plane për të udhëtuar në zonën Schengen tash që nuk kërkohen më vizat. Kompanitë turistike kanë shtuar linjat e udhëtimit, e kjo pritet të rëndojë më së shumti mbi bizneset që mund të përballen me mungesë të punëtorëve
Fundi i viteve izolim ka përfunduar. Qytetarët e Kosovës nga 1 janari mund të udhëtojnë lirshëm, pa viza, në shtetet e zonës Schengen.
Tash, sfida e vetme do të jenë financat për të përballuar udhëtimet, pasi ato do të jenë vetëm për turizëm, e jo edhe për punë e shkollim.
Disponimi i qytetarëve është se do të ketë ikje masive nga Kosova, dhe jo vetëm për turizëm.
“Është problem serioz sepse duke ndenjur për çdo ditë me të rinj, pas 1 janarit janë gjasat që të gjithë apo shumica e të rinjve të marrin rrugët e kurbetit. Sa mund ta gjejnë veten atje nuk mund ta dimë”, thotë qytetari Fargzim Azemi.
Edhe qytetari Fatmir Qorrolli beson se do të ikin shumë të rinj.
“Ka agjenci që i kanë shitur nga 20 e 30 mijë bileta. Besoj se kanë me ikur shumë të rinj dhe Kosova veç është zbrazur, të gjitha fshatrat janë zbrazur”, thekson ai.
Adem Qorrolli, ekspert i ekonomisë, periudhën pas liberalizimit e sheh sfiduese sidomos për bizneset. Sipas tij, mund të largohen rreth 300 mijë të rinj e shumë biznese të mbyllen.
“Institucionet nuk do ta evolvojnë më 18-përqindëshin dhe jo vetëm ushqimet apo konsumi, atë do ta ndjen çdo dikaster ekonomik e sidomos ministria e Financave që tashmë po e bën një ruajtje buxhetore duke i ndalur investimet kapitale”, thekson Qorrolli.
Ata që e kanë të siguruar fjetjen te të afërmit, për një ditë qëndrimi në shtetet e zonës Schengen duhet të kenë nga 30 deri në 50 euro, kurse ata që rezervojnë hotele, duhet të kenë nga 50 deri në 100 euro për secilën ditë.
Mërgimtarët janë të gatshëm t’i presin familjarët e tyre, por vetëm për vizita.
“Presim familjar për një kohë të shkurtër sepse s’kemi mundësi më shumë , një javë më se shumti dhe mund të kthehen lirisht se s’ka mundësi”, thotë mërgimtari nga Zvicra, Hamit Bajrami.
Mërgimtari tjerar nga Zvicra Gani Hasanaj thotë se ka rregulla për liberalizmin e vizave dhe se ato nuk duhet të shkelen pasi mund të ketë sanksione.
Liberalizimi ka rritur edhe punën e agjencive të udhëtimit. Ato i kanë shtuar linjat.
“Nga data 2 janar 2024, udhëtimet tona Kosovë-Zvicër janë çdo ditë dhe kërkesat e qytetarëve nga dita në ditë janë në rritje dhe kemi rritje të kërkesës për udhëtime drejtë Zvicrës për 80 për qind nga viti i kaluar”, thekson Ruzhdi Kurtishaj, pronar i një agjencie.
Sipas rregullave, qytetarët mund të qëndrojnë në zonën Schengen, 90 ditë në periudhë 180-ditore.