“Natën që filluan bombardimet, më thirri në mes të natës dhe më tha: Madeleine, aeroplanët janë nisur. Po bëjmë gjënë e duhur. Dhe i thashë: Po, z. President, po bëjmë gjënë e duhur”, ka thënë në Prishtinë, Madeleine Albright.
Momente të tilla të para njëzetë vjetëve, i kanë sjellë para shumë kosovarëve, ish-sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, e gjithashtu edhe ish-presidenti Bill Clinton.
Clinton e Albright, ishin dy prej miqve të Kosovës që morën pjesë në tubimin qendror për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
I pari që mori fjalën, mes duartrokitjeve e vërshëllimave, ishte presidenti Hashim Thaçi.
Ai ka shprehur falënderimin për Aleancën veri-atlantike, por edhe ka kujtuar ata që u sakrifikuan për arritjet e sotme.
Pas tij, ish-sekretarja Albright, u shpreh krenare me arritjet e shtetit të Kosovës.
“Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, mes jotolerancës së vrazhdë dhe respektit për të drejtat e njeriut, mes tiranisë dhe demokracisë. Ne triumfuam për shkak se aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fuqishme dhe, më e rëndësishmja, patëm sukses sepse kauza jonë ishte e drejtë”, ka thënë ajo.
Derisa dashurinë për Kosovën e ka rikonfirmuar ish-presidenti Bill Clinton, që edhe gati 19 vjet pasi është larguar nga Shtëpia e Bardhë, Kosovën e konsideron një prej arritjeve më të mëdha të tij.
“NATO-ja ishte triumf i asaj që, sipas meje, funksionon më së miri në botë: bashkëpunimi ndërshtetëror. Gjenerali Clark ishte komandanti, por ishin 19 demokraci që po punonin së bashku për të shpëtuar jetë, për të mbrojtur vlera. Dhe kështu, shekulli më i përgjakshëm në historinë e Evropës, nuk përftoi me përsëritje të gabimeve, por me shpresën për ripërtëritje”, ka thënë Clinton.
E një zyrtar i lartë aktual i Shtëpisë së Bardhë, zëvendësndihmës-sekretari i Shtetit Mathew Palmer, përveçqë përmendi sfidat dhe arritjet e shtetit, pati porosi edhe për dy çështje: marrëveshjen me Serbinë dhe idenë për bashkimin me Shqipërinë.
Palmer tha se nuk ka kthim prapa lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe duhet vazhduar angazhimi për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, por edhe shfaqi qëndrimin kundërshtues për bashkimin me Shqipërinë.
“Ne e kundërshtojmë konceptin cinik se mënyra e vetme për të ecur përpara rajoni është duke e kthyer prapa orën deri në pavarësinë e Kosovës. Ngjashëm e kundërshtojmë idenë se e ardhmja e Kosovës është te bashkimi me një shtet tjetër. Qëndrime të tilla do t’ju bënin të besonit se Kosova nuk është në gjendje që të piqet si një shtet i pavarur dhe pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe të shërbejë si shtyllë e stabilitetit në rajon, siç SHBA-ja beson se mund të jetë”, tha Palmer
Gatishmërinë për pajtimin me Serbinë, e ka shfaqur kryeministri Ramush Haradinaj, tek i ka bërë thirrje presidentit serb Vuçiq, që ta njohë Kosovën me kufijtë aktualë.
Në fund të kampanjës ajrore 78-ditore të NATO-s, që kapitulloi regjimin e Milosheviqit, filloi hyrja e trupave paqeruajtëse të KFOR-it në vendin tonë.