Ish-komandanti i forcave të NATO-s për Evropë, Wesley Clark, ish-shefi i UNMIK-ut, Bernard Kouchner dhe ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, janë në mesin e dëshmitarëve të ftuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit.
Në një dokument të publikuara nga Dhomat e Specializuara, ku avokati i ish-presidentit të Kosovës, Thaçi, kërkoi mundësi unike hetuese, përmenden emrat e dëshmitarëve.
Pos Clarkut, Walkerit e Kouchnerit, janë edhe Steve Bennett, ish drejtor i Misionit të OSBE-së, për Edukim dhe Zhvillim Policor, më pas Jock Covey, zëvendësdrejtor i UNMIK-ut nga viti 1999 deri në vitin 2001. Ish-këshilltari politik i Clarkut, Michael Durkee.
“Në mënyrë ideale mbrojtja do të kërkojë të ftojë të tetë këta dëshmitarë në rast dhe ata do të dëgjohen në mënyrë të njëjtë si të gjithë dëshmitarët tjerë të mbrojtjes. Mirëpo, për shkak të moshës së shtyrë të këtyre dëshmitarëve, z. Thaçi nuk mund të rrezikojë të presë deri në fillim të paraqitjes së dëshmitarëve nga mbrojtja, pasi dëshmitë e tyre mund të mos jenë më në dispozicion. Për këtë dorëzon këtë kërkesë unike hetuese, për të lejuar që dëshmitë të merren, ekzaminohen dhe testohen në mënyrë të njëjtë si gjithë dëshmitarët tjerë”, thuhet në kërkesën.