Arbëri

Çizmja që pret shtetin

Afër shtëpisë ku përnjëherë janë vrarë dhe djegur 23 fëmijë rri çizmja e njërit prej tyre. Shteti ende nuk e ka parë. Ka 24 vjet që ajo pret. Tre muaj më pak se 24 vjet ka nga çlirimi i Kosovës e 15 nga shpallja e Pavarësisë. Si çlirimi ashtu edhe pavarësia zor se do të ndodhnin pa këtë dhe shumë çizme të tjera.

Poklek, Drenas, shkurt – Çizmja e një djaloshi të moshës parashkollore e pret këdo që i afrohet shtëpisë gati të rrënuar nga predhat e granatave të familjes Muqolli në Poklek të Drenasit. Pastaj është një sandale dhe më tutje një këpucë që mban baltën e para 24 vjetëve. Gjurmë të tjera ka në këtë shtëpi dhe në tjetrën afër saj, që Muqollët posa e kishin ndërtuar. Ato presin shtetin e Kosovës që t’i vizitojë.

Shtëpinë e re nuk e goditën granatat. Në të u krye një prej mizorive më të tmerrshme të luftës që la të vdekur 51 civilë, në mesin e tyre 23 fëmijë. Në një dhomë jo më të madhe se katër metra katrorë, ku po strehoheshin 57 shqiptarë, njëherë me bomba dore e më pas me armë automatike, serbët i vranë e pastaj iu vunë flakën për t'ua shkrumbuar edhe kockat. Gjashtë nga ta mbijetuan për t'ua treguar të tjerëve tmerrin që panë me sy. Është fort e rëndë për Fadil Muqollin që të kthehet 24 vjet pas e të kujtojë se si mu aty serbët ia vranë vajzën e tre djemtë, më i vogli katër vjeç.

"Në këtë dhomë më janë vrarë 14 anëtarë të familjes së ngushtë. Baba, nëna, katër motra, bashkëshortja me katër fëmijë dhe bashkëshortja e vëllait me dy fëmijë", thotë Fadili, me fjalë të shoqëruara nën ofshamë. Derisa i ishte vrarë familja, ai kishte qenë në frontin e luftës.

Ballë dhomës që ruan kujtimin e dëshminë e të vrarëve, gjendet kthina me fotografitë e tyre të varura në mur, të cilat sikur presin të dinë për fatin që do ta kenë tash pas zhvendosjes nga vendi i krimit. Fadilin herë pas here e tradhton zëri, teksa bën me gisht kah fotografitë për të kujtuar secilin veç e veç se kush ishte.

"Kjo ka lindë në luftë, i ka pasur veç gjashtë muaj, emrin Lirije ia ka pasë lënë vëllai", tregon Fadili, i cili me shikim të thyer nuk ia ndan sytë mbesës, Lirijes së vogël.

Por edhe më rëndë se kaq për Fadilin është krimi i padokumentuar në arkivat e shtetit e drejtësia e munguar. 24 vjet pas luftës, ai thotë që asnjë polic hetues apo prokuror vendës të mos i ketë shkuar në shtëpinë e tij për ta parë vendin e krimit apo për t'ia marrë dëshminë.

"Njerëzit e drejtësisë, Departamenti për krime lufte, që është në Kosovë, asnjëherë, asnjëherë, as nuk e di këtë vend ku është. Kjo është për mua vrasje. Mua po më vrasin se unë i kam 14 anëtarë të familjes, nuk i kam 14 pula, po 14 anëtarë", thotë Fadili derisa me zhgënjim të thellë pyet vazhdimisht se për kë ranë ata e për kë po punon shteti.

Nga 6 të mbijetuarit e krimit një ka vdekur. E kur provat të zbehen e dëshmitarët të vdesin, Fadili thotë se këmba e shtetit nuk ka më pse të shkelë aty.

"Gjaku është ende i lagët. Ai gjak nuk po teret. Ai po e pret dikë. Fatkeqësisht, s’po ka kë me prit", shprehet ai.

Indiferentë ndaj memories kolektive

Në mungesë të të dhënave shtetërore për krimet e luftës, Kosova u referohet të dhënave të mbledhura nga një organizatë joqeveritare, siç është Fondi për të Drejtën Humanitare. Sipas kësaj organizate, në Kosovë janë vrarë 13 mijë e 535 persona, prej tyre 10 mijë e 800 shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër nga komunitetet e tjera. Zyrtarisht nuk ka numër të saktë për viktimat e dhunës seksuale, ndonëse supozohet të kenë qenë 20 mijë. E shifra nuk ka as për dëmet materiale të luftës.

Mungesa e përpjekjes institucionale për dokumentimin e krimeve të luftës, sipas dekanit të Fakultetit Juridik të Universitetit Prishtinës, Avni Puka, parqet një model të keq të shtetit të Kosovës e të shoqërisë kosovare. Ai thotë se dokumentimi i krimeve të luftës i paraprin edhe sjelljes së drejtësisë për viktimat, të dyja raste këto në të cilat Puka thotë se shteti s’ka bërë sa duhet.

“Te dokumentimi ka pasur disa përpjekje por mbase jo të mjaftueshme, pa rezultate deri më tani kur po flasim. Është problematike sot edhe të dihet numri i saktë i viktimave në Kosovë, e aq më tepër i llojeve të krimeve që kanë ndodhur këtu, në kuptim të një nevoje që ka qenë për kualifikimin në procedura të krimeve që janë kryer në Kosovë”, ka thënë ai.

Për vërtetimin e së kaluarës, dekani deklaron se Kosova ka pasur shumë mundësi. Sipas tij, ka munguar vetëm vullneti i shtetit në kuptimin e hulumtimeve, për të lënë pas dëshmitë e historisë që i takojnë e është dashur t’i kishte Kosova.

“Mendoj që ka pasur kapacitet real shteti i Kosovës ta konceptojë si duhet dhe ta adresojë si duhet të kaluarën, që në rend të parë është një obligim për viktimat, në anën tjetër, një domosdoshmëri dhe një bazë për të ndërtuar të ardhmen. Besoj që ka pasur edhe resurse si shtet edhe resurse në kuptimin profesional e aq më tepër të angazhimit të ekspertizave ndërkombëtare, të profesionistëve dhe të përfaqësuesve që kanë qenë të përfshirë në procese të njëjta, në adresim dhe dokumentim”, thotë ai.

E Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thekson se punën që e ka bërë organizata e tij kanë mundur ta bënin institucionet për të ndërtuar narracionin e saktë mbi atë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

“Kush ia ka parandaluar institucioneve të Kosovës që të merren me dokumentimin e krimeve të luftës. Tekefundit shoqëria civile, organizatat e shoqërisë civile janë marrë me dokumentimin e krimeve, respektivisht viktimave, në rastin e Fondit për të Drejtën Humanitare. Ne jemi fokusuar të dokumentojmë viktimat, mirëpo së paku ka mundur të bëhej më shumë në intervistimin e dëshmitarëve, në mbledhjen e provave, në arkivimin e tyre, sepse këto mund të shfrytëzohen pastaj në proceset gjyqësore”, thotë Blakaj.

Por, dekani Puka vlerëson se edhe pse kanë kaluar shumë vjet nga lufta, kurrë nuk është vonë që të intensifikohen orvatjet në këtë drejtim.

“Për perspektivën kohore sigurisht në vitin 2010 ose sidomos pas vitit 2008 do të mund të bëhej shumë më shumë po të ndërtoheshin kapacitete. Tani, edhe pse është vonë, është e domosdoshme”, ka theksuar ai.

Image
“Në këtë dhomë më janë vrarë 14 anëtarë të familjes së ngushtë. Baba, nëna, katër motra, bashkëshortja me katër fëmijë dhe bashkëshortja e vëllait me dy fëmijë”, rrëfen ngjarjen e 24 vjetëve më parë Fadil Muqolli, njëri nga gjashtë të mbijetuarit e njërës prej mizorive më të tmerrshme të luftës që la të vdekur 51 civilë, në mesin e tyre 23 fëmijë

13 mijë e 535 të vrarë, 71 të dënuar

"Thonë shpresa vdes e fundit. Mua shpresa veç më ka vdekë", thotë Fadil Muqolli kur pyetet se a ka shpresë në sjelljen e drejtësisë, sado e vonuar të jetë ajo. “Qe 24 vjet hala asnjë hetues, asnjë prokuror i shtetit tonë nuk ka qenë as nuk e di ku është ky vend. Kjo është zhgënjyese. Për mua drejtësia dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë janë në komë. Ishalla ose zgjohen ose ndërrojnë jetë”.

Për mizorinë e policisë serbe të ushtruar mbi familjen e tij nuk është gjykuar e as dënuar deri më tash asnjë person. Për më shumë se 13 mijë të vrarët në Kosovë janë dënuar vetëm 71 persona. Këtu përfshihen dënimet nga të gjitha institucionet si ato vendore edhe ato ndërkombëtare, si UNMIK-u, EULEX-i e gjykimet në Hagë.

"Deri më tani, 24 vjet tashmë bëhen pas luftës, janë dënuar me aktgjykime të plotfuqishme vetëm 71 persona. Kjo tregon mjaftueshëm se si viktimat e luftës në Kosovë nuk kanë parë drejtësi dhe gjasat janë krejt të vogla që një përqindje e madhe të shohin drejtësi. Megjithatë, nuk duhet ndërprerë kurrë veprimet për sjelljen e përgjegjësve për krime lufte para drejtësisë. Mendoj që është momenti i fundit që edhe në Kosovë të intensifikohet puna e Departamentit për krime lufte në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thotë Blakaj.

E nga Departamenti për krime lufte në Prokurorinë Speciale, prej disa ditësh nuk u janë përgjigjur fare pyetjeve të KOHËS lidhur me kritikat për mungesën e rezultateve në ngritjen e aktakuzave për krime lufte. Nga ky departament disa herë janë ankuar për mungesë të kushteve, për numër të vogël të prokurorëve e për infrastrukturë të mangët ligjore për ta kryer punën e tyre.

Por Avni Puka thotë se përtej arsyetimeve vendi ka pasur mundësi që nëpërmjet instancave të drejtësisë t’u dalë hak viktimave të luftës.

“Përtej mundësive ose justifikimeve që kanë qenë, Kosova ka pasur mundësi të bënte shumë më shumë. Në rend të parë të ndërtojë kapacitete sa i përket prokurorisë dhe gjyqësorit dedikuar për këtë. Mendoj që 15 vjet pas Pavarësisë nuk kanë qenë pak, për të realizuar një qëllim aq human dhe aq të rëndësishëm për adresimin e së kaluarës dhe të ndërtimit të së ardhmes së shoqërisë sonë”, ka thënë ai.

Jahir Bejta, drejtues i shoqatës për dëme të luftës “Ngritja e Zërit”, që nga 2008-a, kryesisht i vetëm, mbledh prova, bën klasifikimin e dëmeve e hartimin e padive individuale për kompensim të dëmeve. Deri tash ka arritur të përpilojë 1200 dosje. Krejt këtë pa ndihmën e shtetit. Ai thotë se paditë, kërkesat e ankesat e tij, ndonëse i ka dorëzuar, nuk i marrin fare parasysh gjykatat.

“Gjykatat Themelore i hedhin, gjykatat e Apelit i refuzojnë ankesat, Gjykata Supreme s’e lejon fare procedurën e revizionit, Gjykata Kushtetuese i konsideron si të paaprovuara”, thotë ai.

Përkrahja politike e financiare në këtë drejtim, duke filluar nga niveli i presidentëve, i kryeministrave, i kryetarëve të Kuvendit dhe ministrave të Drejtësisë, Bejta thotë se ka qenë zero.

“Përfaqësuesve të institucioneve, nuk është lehtë të thuash, u bie ndërmend për viktimat e luftës gjatë fushatave zgjedhore, ajo është e theksuar edhe në përvjetorë, kur i shohin nënat me shami të bardha”, ka thënë Bejta.

Image
Nga 6 të mbijetuarit e krimit, një ka vdekur. Kur provat të zbehen e dëshmitarët të vdesin, Fadili thotë se këmba e shtetit nuk ka më pse të shkelë në shtëpinë e Muqollëve

Orvatjet e institucioneve

Kosova ka pasur një institut për hulumtimin e krimeve të luftës që është krijuar më 2011 dhe mbyllur më 2018. Një të tillë Qeveria aktuale synon të rithemelojë. Por, projektligji i sponsorizuar nga ajo, mbi bazën e të cilit do të ngrihet ky mekanizëm, ka kaluar në parim në fillim të tetorit të vitit të kaluar dhe më nuk është shqyrtuar nëpër komisione parlamentare e as nuk i është sjellë seancës. Madje, miratimi i tij në parim ishte përcjellë me debate të shumta nga partitë politike në Kuvend, kryesisht të tilla që tentonin ta politizonin çështjen.

Ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me marrjen e mandatit para dy vjetëve u pati bërë thirrje qytetarëve që të dorëzonin në Ministri dëshmitë që kanë për krimet e luftës. Por, se çka ka shërbyer kjo thirrje e çka është bërë këta dy vjetët e fundit në frymën e dokumentimit të krimeve të luftës, nga ky dikaster nuk kanë dhënë përgjigje. Njësoj nuk u janë përgjigjur as pyetjeve për përgatitjen e padisë për gjenocid, e cila ka qenë pjesë e programit të Qeverisë aktuale.

Shteti s’i bën vend ekspozitës së përhershme

Përveç 23 fëmijëve të vrarë në Poklek, në të gjithë Kosovën u vranë e u zhdukën edhe 1.110 të tjerë, sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare.

Krasniqi u vra në barkun e nënës e bashkë me të, për të mbetur në historinë e fëmijëve që lufta e privoi nga jeta ende pa e nisur atë. Gati në rrethana të njëjta vdiq edhe Bledar Gashi. Ai arriti të lindte i gjallë nga barku i nënës, nga ku doli si rrjedhojë e një granate që serbët ia kishin hedhur asaj. Por, jeta e tij e shkurtër u shua brenda asaj dite bashkë me atë të së ëmës së tij. Atë ditë që lindi u vra edhe Burim Krasniqi, edhe ai bashkë me nënën. E një ditë jetë e pati Shkumbim Selimi, i cili më pas u zhduk e trupin e tij prindërit më nuk e gjetën kurrë. 1.133 fëmijëve të vrarë, Fondi për të Drejtën Humanitare në maj të 2019-s ua kushtoi një ekspozitë në Qendrën e Dokumentimit të Kosovës, të quajtur "Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë". Aty, që në hyrje, gjendet muri i emrave të fëmijëve të vrarë gjatë 98-s deri në 2000-tën. Në të djathë gjendet një dhomë e errët ku dëgjohet vetëm rrëfimi i të mbijetuarit 8-vjeçar, Gramoz Berisha. Në të majtë, në një hapësirë jo fort të madhe, gjendet dhoma e xhamit me një biçikletë brenda, një sajë, një djep e disa veshje fëmijësh. Jashtë dhomës së xhamit, ballë saj, gjendet muri i portreteve të fëmijëve viktima, e rreth e rreth dhomës gjësende të fëmijëve.

"Është çanta e Qëndresa Lipajt, e cila ka qenë vetëm 15-vjeçare, kur kanë qenë të vetëdijshëm që forcat serbe janë nisur drejt fshatit të saj. Ata e kanë ditur se duhet ta lironin fshatin dhe ajo i ka përgatitur disa gjësende elementare në çantën e vet, duke përfshirë edhe sapunë për higjienë, ka menduar për higjienë, por edhe hapat për kokëdhimbje e kështu me radhë. Mirëpo, për fat të keq ajo me gjithë motrën Mirdonën dhe kushërirat e tjera, gjyshin e gjyshen janë kapur nga forcat serbe dhe janë hedhur në një bunar. Nëna e Qëndresës e ka bartur çantën e saj gjatë gjithë kohës kur janë larguar nga fshati dhe ajo na e ka dhanë çantën që ne ta ekspozonim në ekspozitën tonë", rrëfen Blakaj për çantën e ekspozuar të Qëndresës.

Historitë e fëmijëve të shkruara shkurt në nga një copë xhami afër gjësendeve që i kanë lënë pas, kishin pasur një interesim të shtuar e komente pozitive, që shtynë FDH-në ta rimendojë jetëgjatësinë e ekspozitës. Nga e përkohshme, ata bënë përpjekje ta kthenin në të përhershme. Blakaj thotë se meqë kushtet në vendin ku është ekspozita aktualisht nuk janë më të mirat, kanë kërkuar që atë t'ua dorëzojnë institucioneve shtetërore të cilat më pas t'ia gjenin një vend të përhershëm. Por, pavarësisht kërkesës, shteti nuk shprehu interesim.

"Ne kemi qenë në komunikim me Ministrinë e Kulturës që kanë treguar një vullnet të mirë, që ta marrin ekspozitën si të tillë, por nuk e di arsyen. Para do kohe kemi marrë informatën që Ministria e Kulturës nuk mund të ndërmarrë përsipër ekspozitën. Jemi në komunikim me Komunën e Prishtinës, me kryetarin Rama, me kabinetin e tij në mënyrë që t’ia sigurojmë një vend të përhershëm", ka thënë ai.

Një tavolinë xhami në atë ekspozitë ruan librat e tre fëmijëve të Fadil Muqollit të Poklekut. Pjesën tjetër Fadili e ruan me fanatizëm në katin e dytë të shtëpisë. Në dhomën boshe ku shfletimi t’i çan veshët nga ehoja, Fadili ka mbështetur për muri secilin libër e fletore të fëmijëve të tij. Njërit nga ta ia kishte hapur faqet ku e kishte të përshkruar orarin e mësimit. E tjetrit çantën e shkollës ia ka lënë të mbushur, krejt njësoj siç e kishte lënë ai gati për t’u nisur për në shkollë.

“Por, a është mirë për shtetin këto libra me kanë kështu? Këto janë fakte, këto janë dëshmi, unë këto edhe mos me kanë këtu i kam në shpirt. Por, a është respekt ky për ata njerëz që janë vrarë, të jenë në këtë gjendje 24 vjet pas luftës?”, pyet Fadili derisa hap faqet e fletoreve që s’qëndrojnë dot në “këmbë” nga vjetërsia e pluhuri që ua ka marrë shkëlqimin, por jo edhe peshën.

Ashtu si për çikën, djemtë e anëtarët e tjerë të ngushtë e të gjerë të familjes, ai po pret që drejtësia e shtetit, për të cilin ranë, t’i trokasë në derën që tash e 24 vjet e mban hapur për të. Kaq mund të japë ai që i dha të gjitha.

"Çka të bëj, jam i pafuqishëm", e mbyll rrëfimin Fadili.