Arbëri

Çitaku: Urat që i duhen Kosovës janë urat me SHBA-në, BE-në e NATO-n

Vlora Çitaku - PDK

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar Qeverisë së Kosovës duke i kërkuar asaj më shumë përmbajtje e më pak simbolikë sa i përket çështjes së hapjes së Urës së Ibrit.

Ajo ka thënë se Kosovën i nevojiten urat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

“Urat që i duhen Kosovës janë urat me SHBA, BE, NATO. Urat që na duhen janë ato që e fuqizojnë integritetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Urat që i kemi, i ecim e shetisim, sepse jemi bashkë me aleatët. Më shumë përmbajtje, e më pak simbolikë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Kryeministri Albin Kurti të mërkurën ka deklaruar se “urat na bashkojnë” e se atë mbi lumin Ibër duhet ta bëjmë simbol të normalizimit.

“Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka thënë Kurti.