Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka mohuar mundësinë e bashkëqeverisjes në të ardhmen me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi sipas saj, ka dallime të mëdha qoftë politike, ideologjike e në sfera të tjera.
“Jemi në zgjedhje për t’i fituar ato dhe për t’i ofruar qytetarit të Kosovës një model ndryshe nga LVV-ja. Nuk shohim mundësi që me Vetëvendosjen t’i realizojmë planet dhe projektet tona”, ka thënë ndër të tjera Çitaku për televizionin publik.
Ajo më tej ka deklaruar se partia e saj shkon në zgjedhje për të fituar e jo për të bashkëqeverisur me LVV-në.
E për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Çitaku tha se kjo çështje është një rast i humbur.
“Te ky rezultat kemi ardhur për sjellje të papërgjegjshme të rrezikshme të kryeministrit Kurti në raport me dialogun me Serbinë, por edhe në raport me aleatët”, ka theksuar Çitaku.
Duke folur për Asociacionin dhe për raportet me ndërkombëtarët, Çitaku tha se tani është një situatë kur aleatët kanë humbur ambicien për një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër.
“Ndërkaq ne do ta trajtojmë çështjen e Asociacionit seriozisht, si pjesë të marrëveshjes finale me njohje reciproke në qendër, por jo ky draft-statut, por një draft-statut që Kosova do ta shkruaj vetë”, tha Çitaku, duke shtuar ky ndryshim mund të arrihet nëse përfaqësuesit institucionalë nuk janë cinikë dhe të jenë të përgjegjshëm me aleatët ndërkombëtarë.
Duke folur për partinë e saj, Çitaku ka thënë se PDK është parti që merr vendime dhe që kryen projekte të mëdha.
Duke folur për arsyen e takimit të Kurtit me Krasniqin, Çitaku tha se në një shoqëri normale, në një vend stabil, takime të tilla do të ishin krejtësisht normale, duke shtuar se është biseduar për zgjedhje parlamentare si një instrument demokratik për të zgjidhur problemet e mëdha të qytetarëve të vendit, si në aspektin ekonomik, për çmimin e lartë të rrymës, kostoja e papërballueshme e jetesës, ashtu edhe politik, ndërsa përmendi detyrat e politikanëve të vendit.
“Detyra e lartë e politikës është që të ofrojë zgjidhje, ngase po besojmë se Kosova është në një agoni”, është shprehur Çitaku.