Arbëri

Çitaku: “Kuvendi gjithëserb”, vazhdim i mendësisë serbe

Vlora Çitaku - PDK

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se “Kuvendi gjithëserb” është formë e vazhdimit të mendësisë serbe, duke iu kërkuar autoriteteve të Kosovës “të mos bien prej e kësaj gracke”.

Ajo ka shkruar në Facebook të dielën se rruga e Kosovës drejt NATO-së dhe Bashkimit Evropian kalon kah Uashingtoni dhe Brukseli, duke thënë se “të ardhmen e kemi në dorë”.

“Serbia nuk ka ndryshuar asnjëherë. E tillë ka qenë para një shekulli, e tillë vazhdon sot. E njëjta mendësi! ‘Kuvendi gjithëserb’ është vetëm një nga format e manifestimit të asaj mendësie, e cila vazhdon të jetë dominuese në Beograd. E detyra jonë si lidership në Kosovë është të mos biem në grackat e kësaj balte, që me shumicë prodhohet në Serbi”, thuhet në reagimin e nënkryetares së PDK-së.

Çitaku ka shtuar se është për keqardhje nëse Serbia dëshiron të vazhdojë t’i rikrijojë betejat e humbura.

“Rruga e Kosovës drejt NATO dhe BE kalon nga Ëashingtoni dhe Brukseli. E nëse fqinjët tanë veriorë dëshirojnë të vazhdojnë të jetojnë duke u munduar t’i rikrijojnë betejat e humbura, keqardhje për ta. Të ardhmen e Kosovës e kemi në dorë ne. Bashkë me aleatët”, ka potencuar ajo.

Ndaj deklarimeve të “Kuvendit gjithëserb” ku u tha se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë” ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke e quajtur si ide të rrezikshme dhe si “mendësi e Millosheviqit”.