Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka vlerësuar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa njohje reciproke, nuk është as finale e as gjithëpërfshirëse.
Ajo ka kërkuar sqarime nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është e pamundur në këtë fazë.
“Kryeministri duhet të na e sqarojë se si qenka katandisur procesi deri në atë pikë sa aleatët tanë po thonë tani që nuk është koha për njohje reciproke? Duhesh me qenë tej mase amator, e i padijshëm që në kontekstin gjeopolitik më të favorshëm për Kosovën në 15 vjetet e fundit, në vend të marrëveshjes për njohje, të kemi një status-quo të re, pa njohje dhe me Asociaci. Ja gjenialiteti i kryeministrit”, ka shkruar Çitaku.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë të martën se synimi përfundimtar është njohja e ndërsjellë, por vlerëson se aktualisht kjo nuk është e mundur.
“Për fat të keq kjo nuk është e mundur aktualisht, por sfidat e sotme mund të tejkalohen. Nëse e sheh këtë marrëveshje, këtë punë si hap i përkohshëm drejt asaj...atëherë ka mundësi reale”, i ka thënë Hovenier gazetarit Tim Judah, i cili mbulon Ballkanin për “The Economist” dhe është autor i disa librave për Kosovën dhe rajonin.