Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për degradim të procesit të dialogut me Serbinë.
Në një konferencë për media të mbajtur të martën, ajo ka thënë se Kurti e ka shndërruar procesin nga një pikë ku flitej për njohje reciproke, në një ku nuk ka njohje e ka Asociacion të komunave me shumicë serbe.
“Çka ka e çka s’ka, s’ka njohje e ka Asociacion, fatkeqësisht kryeministri Kurti e ka degraduar procesin e dialogut, si është e mundur që jemi katandisur në këtë pikë, kur para dy-tre vjetësh vetë presidentët e Amerikës kanë folur për njohjen reciproke si zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, e sot flasim për një status-quo të re pa njohje e me Asociacion, ky është degradim i procesit nga kryeministri Kurti”, është shprehur Çitaku.
Ajo ka kritikuar qeverinë e Kosovës për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për mohim të fjalës së ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për ngecje në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.
“Çka ka dhe çka s’ka ditëve të fundit dhe jo vetëm nga Qeveria Kurti? Ka mbrojtje të pakusht për Martin Berishajn, nuk ka sjellje të tij para drejtësisë. Ka mohim të fjalës për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe elozhe për Oliver Ivanoviqin. Ka çnjohje dhe ngecje në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, s’ka procedim të aplikacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ka një Albin Kurt në opozitë, dhe një Albin Kurt tjetër në Qeveri”, ka theksuar Çitaku.
Ajo ka akuzuar Kurtin edhe për, siç ka thënë mbrojtjen e ambasadorit Berishaj. Sipas saj kupola e shteti është vënë në shërbim të Martin Berishajt. “Presidentja, kryeministri, pa një hall te madh nuk do të ekzistonte një angazhim kaq masiv për të mbrojtur një ambasador, i cili sot është i diskredituar në mediat ndërkombëtare, faturat e publikuar janë fakte, nuk janë llafe”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka ripërsëritur thirrjen për shkarkim të Berishajt, duke thënë se tani ajo nuk është më e mjaftueshme. “Tek afera Martin Berishaj, shkarkimi nuk mjafton. Të dhënat e publikuara nga mediumet e ndryshme ndërkombëtare duhet të jenë alarm për institucionet e Republikës së Kosovës. Për më tepër, sot, më shumë se kurrë, Kryeministri duhet t’u japë përgjigje një vargu të pyetjeve të cilat i kemi parashtruar tash e një vit. Si i është dhënë shtetësia Martin Berishajt brenda natës? Si e ka marrë certifikatën e sigurisë nga AKI? A janë përdorur 1 milion e 470 mijë euro për të financuar fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo”, ka thënë Çitaku.
Sipas saj Qeveria Kurti ka dështuar edhe sa i përket politikës së jashtme.
“Dje, Ministri i Jashtëm i Togos njoftoi se kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, kur ne prisnim njohje të reja. Por, kjo nuk është pjesa më e dhimbshme. Pjesa e dhimbshme është që, edhe në një organizatë si Këshilli i Evropës, ku kemi më shumë se dy të tretat e votave të nevojshme, edhe përkundër përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë, aplikimi i Kosovës vazhdon të mbetet i patrajtuar. Që nënkupton, se ne nuk po arrijmë të mirëmbajmë dhe kultivojmë raportet as me vendet që na kanë njohur”, është shprehur Çitaku.
Ajo ka akuzuar kryeministrin Kurti për nënçmim të UÇK-së , duke thënë se historia nuk mund të fshihet.
“Në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, Qeveria ia mohoi fjalën Kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani. Ndërkaq, të nesërmen, Kryeministri Kurti thuri elozhe për Oliver Ivanoviqin. Kryeministër, nuk fshihet dhe nuk retushohet historia si komunikatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimet tuaja në Facebook”, ka theksuar Çitaku.