Sipas Akri Çipës, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës është ndryshe nga ajo e Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se derisa SHBA-ja sheh me pikëpamjen e sigurisë, BE-ja po mundohet që të gjitha çështjet t’i përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi.
Çipa ka theksuar se përfaqësuesit e BE-së kanë tendencë që edhe çështjet e brendshme të Kosovës t’i fusin brenda kornizës së dialogut.
“Ka një ndryshim në qasjen që ka SHBA-ja me vendet e tjera të BE-së. Nëse SHBA e shikon vetëm nga pikëpamja e sigurisë, nga dëshira për të mos agravuar situata. BE-ja e shikon më ndryshe, ka një tendencë për të futur në shportën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë çdo lloj çështje sado minore të jetë, banale të jetë, edhe pse mund të mos jetë e natyrës dypalëshe”, ka thënë ai në Interaktiv.
Çipa është shprehur se për SHBA-në nuk është problem hapja ose jo e Urës së Ibrit, por sipas tij, SHBA-ja i ruhet një tensionimi të situatës në veri që mund të çojë në një konflikt të ri.
“Amerikanët nuk e kanë problemi me vetë hapjen ose jo të urës së Ibrit, ka një tentativë të tyre për të mos krijuar situata të paparashikueshme që mund ta agravojnë situatën në terren në nivelin e sigurisë por edhe në natyrën politike. Ka një përpjekje për të mos pasur apo krijuar mundësi për vatra të reja konflikti që do të mund të ndiznin situatën edhe në Ballkan”, ka potencuar ai.
E, deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, se sfidat me Qeverinë e tanishme “kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit” SHBA-Kosovë, Çipa i ka konsideruar si alarm dhe thirrje për reflektim.
“Fjalët e ambasadorit janë një realitet dhe është jopozitiv për marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Fjalët e ambasadorit janë kambanë alarmi dhe ka vend për reflektim jo vetëm nga Qeveria e Kosovës, por nga të gjithë ata që janë të angazhuar në mbarëvajtjen e marrëdhënieve”.
Hovenier, ka përsëritur të mërkurën konstatimin për zbehjen e kualitetit në raportet midis Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Hovenier ka theksuar se në këtë kanë ndikuar disa veprime, të cilat janë ndërmarrë nga qeveria aktuale e kryeministrit, Albin Kurti.
“Po përballemi me disa sfida me Qeverinë e tanishme të Kosovës, të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha më herët, Qeveria amerikane shpreson se Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Hovenier të mërkurën, në një konferencë për media.
Thuajse gjatë gjithë mandatit të Qeverisë aktuale, ambasadori Hovenier dhe kolegë të tij të një numri vendesh të Perëndimit kanë kundërshtuar disa vendime të autoriteteve të Kosovës, të cilat lidhen me shtrirjen e sovranitetit në veriun e banuar kryesisht me serbë – nga ndalimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë e deri te çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.