Arbëri

Cili është skandali i radhës, kryeministër?

Foto: Driton Paçarada / Koha

Cili është skandali i radhës, kryeministër? Është pyetja e cila po qarkullon nëpër rrjete sociale. Kjo pasi në seancën dhe Akademinë e mbajtur të dielën në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryeministri Ramush Haradinaj solli për audiencën një moment të pakëndshëm.

Nga foltorja ai largoi një zonjë, që doli si e paftuar dhe që ishte mbesa e Mehmet Pashë Derallës. Këtë herë, Haradinaj e largoi me forcë, si të ishte në rolin e sigurimit.

Një rast të ngjashëm e kishte pasur edhe kur u prit para Qeverisë nga dhjetëra protestues të rastit “Kumanova”. Ai u përball me situatë jo të këndshme para familjarëve të cilët po protestonin kundër dënimit të tyre.

Njërit prej tyre madje i thotë “mshele pak”. Derisa është afruar tek familjarët, disa protestues filluan të kërkojnë largimin e Policisë, çka e nervozoi kryeministrin Haradinaj.

Por, kreu i Qeverisë pati edhe një situatë tjetër, kur njëri nga protestuesit e pyeti atë se a është ky sport i rëndë për të.

“Nëse je i sporteve t’rana puna e mbarë bre vlla”, i thotë Haradinaj.

Që nga marrja e postit kryeministër, kur më 9 shtator 2017 edhe u betua si kryeministër i ri, Haradinaj jo pak herë është kritikuar për veprimet e tij.

Shpeshherë ishte quajtur edhe kryeministër ‘nervoz’. Pak ditë pasi ishte zgjedhur kryeministër, ai kishte ofenduar gazetarët, duke i quajtur të pashkollë.

“Kam respekt për media shumë, por shumica prej juve as nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë, problemi është i juaji, nuk kam ndonjë koment”, kishte thënë ai. Por, menjëherë nisën reagimet ndaj tij.

Haradinaj u kritikua se do që të ketë monitorim në gjithçka, më shumë se çdo kryeministër tjetër.

Ende pa mbushur 3 muaj qeverisje, në dikasterin e tij kishte 71 zv/ministra, ndërsa sot janë më shumë se 80. Ani pse vazhdon të ketë kritika për këtë numër të madh të tyre, ai është i kënaqur me ta. Kërkesa e tij tani është që shefat “t’u japin më shumë punë për të bërë”.

Së fundmi, u kritikua se as pas nëntë muajsh s’po i njeh zv/ministrat që vetë i emëroi. “Cili jeni ju, zv/ministër?”, i ishte drejtuar zv/ministrit të Financave, Mustafë Graincës, i cili po fliste në mbledhjen e Qeverisë në mungesë të shefit të tij, ministrit Bedri Hamza. Këso veprimesh kishin ndodhur edhe më herët, shkruan Koha.net.

Nuk shkoi larg dhe kryeministri i Kosovës, me një vendim të tij në dhjetor të 2017-s, ia dyfishoi vetes pagën. Aty i përfshiu edhe 5 zv/kryeministrat e vet dhe mbi 70 zv/ministra.

Kur në publik nisi të kritikohej se si është kjo e mundur, ai kishte thënë se “Më duhen para për të blerë edhe këmisha e kravata. Si kryeministër s’mund të dalë gjithqysh”. E artistët kosovarë, me një aksion simbolik ‘humanitar’, ia vendosën në rrethojë të Qeverisë rreth 300 kravata.

Sikur mos të mjaftonin këto, një muaj më vonë, në janar, kryeministrin e gjetëm në Shën Moritz të Zvicrës. “Pushimet luksoze të kryeministrit të Kosovës” ishin madje titujt edhe në mediet zvicerane. Kostoja, sipas tyre, shkonte deri në 68 mijë euro, por Haradinaj doli publikisht dhe tha “Për këto pushime kam paguar vetë dhe kam paguar 7 mijë euro”.

“Pare kam për pushime edhe dy a tre, por kohë s’po kom”, ka thënë ndër të tjera.

Kohë pas kohe shkruanin për fotografitë që i postonte në bjeshkët e Kosovës. Por, kondicionin e tij, ai një ditë e kishte shfaqur edhe në sheshin e Prishtinës.

Haradinaj veç që kritikohej, kohë pas kohe sillte edhe ‘shfaqje humoristike’ për publikun.

Duke bërë homazhe para shtatores së Skënderbeut në 550 vjetorin e vdekjes, ai ia kishte filluar vrapit krejt papritur drejt zyrës së tij. Sikur u shtangën njëherë të gjithë, por të njëjtin veprim e bënë menjëherë edhe njerëz të ekipit të tij.

Në mars të 2018-s u miratua demarkacioni me Malin e Zi, çështja që ngriti më së shumti kritika ndaj Haradinajt. “Demarkacioni nuk është ratifikuar në Mal të Zi, sepse pa u ratifikuar nga dy shtetet nuk ka marrëveshje. Andaj, miqve të Kosovës nuk ju rrej dhe Kosova nuk i ka dy të tretat e votës për këtë version dhe as votën time s’e ka", ishte deklarata e parë e Haradinajt për demarkacionin, pasi ishte zgjedhur kryeministër, shkruan Koha.net.

Kryetarin e dikurshëm të Komisionit për caktimin e vijës kufitare e kishte quajtur edhe ‘peder’, madje hartën ia kishte përplasur e kishte dalë nga takimi ku po diskutohej për demarkacionin. Atë kohë si pjesë e opozitës, bashkë me Nismën dhe Lëvizjen Vetëvendosje, kishin organizuar mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion kundër kësaj marrëveshje.

Analistë të ndryshëm atë kohë thoshin se sikur Haradinaj të mos e tejkalojë problemin e demarkacionit, atëherë ai do të përballej me probleme morale dhe do ta rrezikonte qeverisjen. Edhe presidenti Hashim Thaçi kishte shtuar tension se kjo çështje sa më parë duhej të marrë epilog. Kështu, krejt papritur ai ndryshoi edhe qëndrim ndaj demarkacionit. Haradinaj e votoi.

Në mars të 2018-s u arrestuan e u deportuan gjashtë shtetas turq, zyrtarë të Kolegjit “Mehmet Akif”. Lajmi bëri bujë në media. Por, Haradinaj në rolin e kryeministrit të Kosovës doli publikisht dhe tha se s’ishte në dijeni fare për këtë.

“E para Turqia na ka përkrahë dhe na përkrah, kemi interes për një partneritet sa më të mirë me Turqinë, këtë askush prej neve nuk e konteston. E dyta dje, diku ka mesdita prej mediave dhe palëve të tjera, kamë mësuar që ka ndodhur deportimi i 6 shtetasve turq”, kishte deklaruar Haradinaj.

Pas kësaj, pasoi shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe drejtoritë të Agjencisë së Inteligjencës (AKI), Driton Gashi.

Çështje të ndryshme herë pas here kthehen në diskutim, premtime të cilat kryeministri i bëri, por s’po i realizon. E parafundit është me banorët e fshatit Shipitullë që protestuan para disa ditësh para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga Haradinaj që të mbajë premtimin për punësimin në Korporatën Energjetike të Kosovës pas marrëveshjes së arritur për shpronësim.

Bujë bëri edhe me faljen e 58 milionë eurove borxh për ambalazhuesit e ujit. Ai kur u kritikua pse i kishte falur, ndër të tjera pati thënë “Veç mu ka tekë me ja nis prej qatyne. Me bo ni shembull të mirë”. Ndërkaq gjatë këtij viti, Haradinaj ka hequr dorë nga falja e borxheve për ta. Vendimin e datës 3 tetor të vitit të kaluar, ku nga pika e parë e vendimit ai ka hequr fjalën “aprovohet falje e borxheve” e ka zëvendësuar me “aprovohen lehtësirat për ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit Administrativ, për strukturën e pagesave të ujit”.

Ndërkaq së fundmi, 53 milionë eurot shtesë që ia ka dhënë kompanisë “Bechtel & Enka”, e cila është duke e ndërtuar autostradën nga Prishtina deri në Han të Elezit, Haradinaj tha se “Nuk kemi pasur qare pa ia pagu paret, sepse i kemi gjetë pa pagu 14 milionë që Qeveria e kaluar i ka lënë qaty. Dhe nga ky borxh është krijuar 53 milionëshi”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.