Më shumë se 1 muaj më herët, Prokurori Elez Blakaj kishte ngritur aktakuzë ndaj një numri të ish-komandantëve të UÇK-së, që aktualisht janë deputetë e ministra në qeverinë Haradinaj, raporton KTV.
Aktakuza, sipas “Betimit për Drejtësinë”, ka mbetur në zyrat e Prokurorisë Speciale dhe nuk është dërguar në Gjykatë. Por në Prokurorinë Speciale e mohojnë ekzistencën e një aktakuze të tillë dhe thonë se rasti i fryrjes së listave të veteranëve ende është duke u hetuar.
Me aktakuzë e kishte konkretizuar hetimin e tij për fryrjen e listave të veteranëve prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj.
Dhe ai synonte që në bankën e të akuzuarve të vinte ish-komandantë të UÇK-së, më vonë pjesë e Komisionit Qeveritar për Veteranë, e që aktualisht mbajnë funksione të larta në qeveri.
Siç raporton “Betimi për Drejtësinë”, bazuar në burimet e veta, në krye të listës ishte Agim Çeku, aktualisht zëvendësministër i FSK-së, por pjesë e listës së të akuzuarve është edhe ministri Rrustem Berisha, si edhe deputetë e drejtues të organizatave të dala nga lufta.
Aktakuza megjithatë nuk ka mbërritur në Gjykatë dhe për më shumë se 1 muaj qëndron në Prokurorinë Speciale, institucion nga i cili Blakaj dha dorëheqjen në fillim të kësaj jave.
Megjithatë, në Prokurorinë Speciale e kanë mohuar ekzistencën e aktakuzës dhe për rastin e fryrjes së listave të veteranëve, thonë se është në fazën e hetimeve.
Sylë Hoxha, prokuror i Prokurorisë Speciale, thotë se për dorëheqjen e Blakajt janë njoftuar në fillim të kësaj jave dhe janë dhënë arsye personale, duke përjashtuar mundësinë e kërcënimeve.
Hoxha ka theksuar se tani ish-prokurori Blakaj kishte punuar gjatë në rastin e listave të veteranëve, por nuk kanë njohuri për ndonjë kërcënim nga kjo lëndë, derisa ngrit edhe një herë shqetësimin për mungesën e mbështetjes institucionale për prokurorët e kësaj prokurorie dhe stafin përcjellës.
Vetë ish-prokurori Blakaj ka heshtur dhe ka qenë i paqasshëm për media.
Blakaj, në hetim e sipër të rastit të Listave të Veteranëve, sipas kryeprokurorit të shtetit, kishte marrë informacione se kishte pasur kanosje në Komisionin që përcaktonte statusin e invalidëve të luftës, por jo kërcënime direkte ndaj tij.
Megjithatë, shqetësime për sigurinë e familjes së ngushtë, Blakaj kishte shprehur pas një mesazhi që i ishte dërguar në rrjete sociale, por që lidhej me rastin e gjykimit të Shefqet Krasniqit.
“Kryeprokurori i Shtetit ka informacione se prokurori Blakaj, në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, ka pranuar një mesazh kërcënues me fjalët: “Dënoi kriminelët, e jo hoxhallarët”, kurse më pas prokurori Blakaj e ka raportuar në polici, ku ka deklaruar se veten nuk e ndien të kërcënuar, por është i brengosur rreth familjes së tij, sidomos për fëmijët, dhe ka kërkuar përcjelljen nga njësitet policore të fëmijëve të tij gjatë vajtje-ardhjes në shtëpi – shkollë”.
Policia kishte hapur rast ndaj kërcënuesit dhe i ishte ofruar përcjellja fëmijëve të tij.
Prokuroria Speciale, me dorëheqjen e Blakajt, mbetet me 12 prokurorë, ndërsa në shtator edhe dy prej tyre mbërrijnë moshën e pensionimit, përderisa Këshilli Prokurorial është në proces rekrutimi për 5 prokurorë.