Arbëri

Cilat ndryshime i parasheh rregullorja e re për parkingjet në Prishtinë

Me ankesa të qytetarëve të Prishtinës u karakterizua dita e dytë e debatit publik për rregulloren për parkingje. Banorët po kërkojnë që të mos paguajnë asnjë taksë pasi sipas tyre parkingjet para banesave të tyre janë vazhdimisht të zëna nga vizitorët.

“Gjatë ditës së djeshme e kam dëgjuar këtu një drejtor që thotë se rregullorja paraprake ka pasur shkelje ligjore. Pse e keni zbatuar? Sa ironike kjo, kundër qytetarëve që iu kanë zgjedhur juve. Sot dëgjova edhe diçka më ironike, tha mos fol për preambulë sepse do të ndryshohet. Kjo rregullore në asnjë nen të saj nuk i ndihmon qytetarët, kjo rregullore në planin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor në dimension thuhet që secilës banesë i takon minimumi një parking. Mirëpo këtë nuk e kanë marrë parasysh sepse nuk iu ka pëlqyer”, ka thënë qytetari Jahja Krasniqi.

“Jemi një kategori që nuk duhet të jemi më të privilegjuar, mirëpo atë që na takon me ligj, ta kemi të drejtën tonë. Unë i kam bërë tri kërkesa, të parën e kam bërë në komunë dhe asnjë përgjigje nuk kam marrë. Më kanë thënë shkoni tek ‘Prishtina Parking’ dhe paguani për një vit, këta më than pastaj që më duhet të paguaj për një vit 70 euro”, ka deklaruar Xhevrije Jashanica.

“Duhet të mendoni pak edhe në atë se sa rënd mund të bart qytetari. Patëm raste këtu që nuk i kanë kushtet të paguajnë parkingun. Prandaj iu kisha lut kur të vijmë tek çmimet të kemi një çmim solid. Zotëri kryetar zotimi i juaj në fushatë ishte për një Prishtinë të pastër dhe të përjetimeve. Unë edhe në takimin e kaluar edhe në këtë takim e kam ngrit zërin që të bëhet lirimi i trotuareve nga veturat”, ka thënë Ilirian Bahtiri.

Rregulloren e re të parkingjeve e ka kundërshtuar edhe opozita në Prishtinë.

“Jam i bindur që kjo rregullore me këto nene të saj nuk e kalon ligjshmërinë. Disa nene të rregullores bien në kundërshtim me dy ligje. Ligji për bashkëpronësinë dhe ligjin për rregullat e trafikut dhe gjithashtu edhe me rregullin administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë”, u shpreh këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla.

E kryetari Përparim Rama ka thënë se në draftin final të kësaj rregulloreje do të merren parasysh edhe ankesat e banorëve.

“Ky diskutim publik është paraqitur këtu dhe po diskutojmë pikërisht për ta përmirësuar rregulloren. Për këtë arsye nuk e kemi dorëzuar si të kryer dhe që do ta imponojmë te qytetarët e Prishtinës. Imponimi duhet të jetë vetëm rregulli, asgjë tjetër”, ka thënë Rama.

Kurse vetëm një ditë më parë, drejtori i Inspektoratit, Florian Dushi, ka thënë se tanimë parkingu pas orës 16:00 do t’iu takojë vetëm banorëve rezidentë.

“Pagesa për parkingun në zonën l do të bëhet çdo ditë të javës duke filluar nga ora 07:00 deri në ora 24:00. Edhe për zonën ll vlen e njëjta. Pra risi tjetër është zgjatja e orarit sepse në mjaft zona kemi pasur ankesa, se kur ka përfunduar orari i ‘Prishtina Parkingut’, banorëve rezidentë u janë zënë parkingjet nga vetura të tjera. Qytetarët janë ankuar se pavarësisht që janë parapagues ata nuk kanë vend të parkimit. Është menduar që sinjalizimi vertikal me ngjyrë të kaltër është i përcaktuar vetëm për banorët rezidentë dhe pas orës 16:00 mund të përdoret vetëm nga banorët rezidentë”, ka thënë Dushi.

E në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i “Prishtina Parking”, Sokol Havolli, hallin e kishte për sigurimin e një çmimi të parkingut për bizneset, të cilat, sipas tij, janë të gatshme që të japin edhe shuma të konsiderueshme për këtë gjë.

“Ne kemi bërë disa analiza që do t’i paraqiten grupit punues dhe Kuvendit Komunal, lidhur me pagesën e parkingut për zonat komerciale. Sepse ka numër të madh të bizneseve që dëshirojnë të parkojnë skaj rrugës dhe ata janë të gatshëm të paguajnë një shumë të konsiderueshme vetëm që ta evitojnë dërgimin e mesazhit. Ne kemi bërë analizë dhe kemi një çmim për këtë gjë”, ka thënë Havolli.

Derisa aktualisht qytetarët në vikend janë të liruar nga pagesa në parkingjet publike, në draft-rregulloren e re parkingjet falas do të jenë vetëm të dielën.

Ndërkohë për parking do të paguajnë edhe veturat zyrtare të Qeverisë e Ministrive derisa të liruara nga pagesa janë veturat e Komunës së Prishtinës, ato të përfaqësive diplomatike dhe personat me aftësi të kufizuar të cilët janë nën përcjellje të shoqëruesit.

Pas diskutimit publik rregullorja do të dalë në Kuvend Komunal për votim.