Thyerje e këmbës e lëndime të tjera, janë disa nga pasojat e aksidentit me biçikletë që pësoi Marigona Syla.
Mëngjesin e së mërkurës si çdo ditë tjetër, ajo përdori biçikletën për të shkuar në punë, por si shkak i gropave në rrugë, ajo pësoi aksidentin e rëndë pas të cilit iu nënshtruar edhe një operacioni.
Kjo ngjarje ka ndodhur në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, e cila ka vetëm 7 muaj që është riasfaltuar.
Për shkak të gjendjes, Syla nuk ka qenë e gatshme të deklarohet para kamerave, megjithatë përmes telefonit ka arritur të tregojë se si ka ndodhur aksidenti.
Ajo paralajmëron edhe padi ndaj Komunës.
Jo vetëm në këtë rrugë, gropa janë krijuar gjithandej qytetit. Ndër gropat më të mëdha i hasim edhe në rrugët që e rrethojnë objektin e Komunës së Prishtinës, e të cilat ka kohë të gjatë që janë krijuar.
Humbje në kohë dhe prishje të makinave janë ankesa më e madhe e qytetarëve.
Këtë më së miri e tregon edhe Nexhmi Berisha, i cili punon si taksist privat në kryeqytet.
“Gjendja e rrugëve? Çfarë më ke pyetur qetash. Pas luftës ka qenë si tani, më katastrofë nuk ki. Qetu po doket më mirë se po që se hyn nëpër anësore e sheh. Hynë në rrugën për Kolovicë, nga pazari dhe e sheh që është e njëjta. Për nga Gërmia është njëjtë, gropa, e thyen kerrin e thyen bandashin unë i paguaj qeto rrugë, kur po shkoj me regjistru kerrin unë po i paguaj. Vetëm pas luftës ka qenë kështu, edhe tani.”
Ndërsa një qytetar që ka ardhur nga Suhareka për të kryer punë në Prishtinë, bën krahasimin e rrugëve të kryeqytetit me të qytetit të tij.
“Kam ardhur nga Suhareka dhe kur erdha këtu hasa në disa rrugë jo stabile me gropa, si me qenë në katun. Infrastrukturën nëpër fshatrat e gjithkah i ka mirë. Ma të mira se në Prishtinë i kemi, kur po i shoh në këto lagje po çuditna”, ka thënë ai.
Ndërmarrja Publike Banesore, e cila nga viti i kaluar ka marrëveshje me Komunën e Prishtinës për mbulimin e gropave, ka treguar se në rrugët që krijohen gropat në një kohë të shkurtër pas asfaltimit nuk janë përgjegjës ata për të mbyllur ato.
Pas aksidentit me biçikletë, Komuna e Prishtinës ka premtuar se në një kohë të shkurtër do të rregullohet gropa në rrugën “Gazmend Zajmi”.