Arbëri

Chollet: Marrëveshja, në qendër njohjen reciproke – Nuk përkrahim një Asociacion si Republika Serbe

“Ne besojmë që Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e fascilituar dhe të udhëhequr nga BE-ja, që punon drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për marrëdhënie të normalizuara që ka në qendër njohjen reciproke”, ka deklaruar këshilltari Chollet. Ai ka thënë se presin nga Qeveria e Kosovës të paraqesë disa propozime në tavolinë. “Dua ta bëj të qartë që ne nuk e përkrahim dhe nuk do të përkrahim aranzhime si ato të Republikës Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të përkrahë çfarëdo aranzhimi që nuk është në përputhje me Kushtetutën”

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ka deklaruar të mërkurën se është momenti kritik që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në qendër me njohjen reciproke dhe se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ligjor i Qeverisë së Kosovës.

“Jemi në një moment kritik. Ne besojmë që Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e fascilitiuar dhe të udhëhequr nga BE-ja, që punon drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për marrëdhënie të normalizuara që ka në qendër njohjen reciproke”, ka deklaruar Chollet në një brifing me përfaqësues të mediave pas takimeve me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ku të pranishëm kanë qenë zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, dhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier.

Këshilltari Chollet ka thënë se SHBA-ja e përkrah plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe se Kosova duhet t’i plotësojë obligimet e dala nga ai.

“Ne besojmë që ky dialog është mjeti më i mirë për Kosovën që të sigurojë të ardhmen e vet të plotë euroatlantike. Dhe presim nga Kosova t’i plotësojë të gjitha obligimet e saj në dialog, që përfshin themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Ne mendojmë që kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Mendojmë që zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij”, ka deklaruar ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, nuk do të përkrahin assesi çfarëdo aranzhimesh që nuk janë në vijë me Kushtetutën e Kosovës dhe se presin propozimet nga Qeveria e saj.

“Ne presim nga Qeveria e Kosovës të paraqesë disa propozime në tavolinë. Dua ta bëj të qartë që ne nuk e përkrahim dhe nuk do të përkrahim aranzhime si ato të Republikës Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të përkrahë çfarëdo aranzhimi që nuk është në përputhje me Kushtetutën e vet dhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar, Marrëveshja e Brukselit – Gjykata Kushtetuese ka vendosur që është e domosdoshme të themelohet komuniteti i komunave me shumicë serbe dhe që ne besojmë në formimin e tij dhe kjo e bën ligjërisht obliguese për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Chollet, duke theksuar se Asociacioni është çështje urgjente.

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë takuar të mërkurën presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, udhëheqësit e tri partive më të mëdha opozitare, Krasniqin, Abdixhikun e Haradinajn, përfaqësuesit e Listës Serbe, si dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Këshilltari Chollet tha se takimet kanë qenë të mira dhe sa ka pasur gatishmëri për angazhim në dialog të institucioneve të Kosovës, “që t’i përvjelin mëngët dhe t’i përvishen punës”, duke potencuar se zbatimi i marrëveshjeve të deritashme nuk është parakusht për vazhdimin e bisedimeve mes palëve. Ai ka folur edhe për porositë që ka marrë nga përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë.

“Ne e dëgjuam sot se Asociacioni është shumë i rëndësishëm për komunitetin serb në Kosovë. Është një mënyrë për të siguruar që zërat e tyre dëgjohen dhe të drejtat u mbrohen plotësisht. Dhe kjo, themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është diçka për të cilën ne kemi avokuar në të gjitha nivelet e qeverisë, kemi folur me të gjithë akterët do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Chollet ka deklaruar se ka ardhur koha që të thyhet “cikli i stagnimit”.

“Është koha që të merremi me punët që kemi përpara dhe një nga porositë që jemi duke çuar këtu dhe në Beograd është se duam ta zgjerojmë energjinë tonë, energjinë diplomatike të SHBA-së, në angazhimin drejt të ardhmes euroatlantike për Kosovën. Duam të shpenzojmë më pak të asaj energjie në menaxhimin e krizave, apo kalimin nga kriza në krizë. Për këtë arsye porosia jonë për këtu dhe për Beogradin është që nuk duhet të ketë akte provokuese, duhet të synohet de-përshkallëzimi dhe duhet të punohet me punët përpara”, ka thënë ai.

Chollet ka thënë se sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova është një shoqëri multietnike.

“Besojmë që diversiteti i bën shtetet tona më të forta. Qeveria e Kosovës duhet ta vlerësojë atë diversitet dhe duhet të themelojë politika në të mirën e të gjithë kosovarëve, pavarësisht etnitetit”, ka thënë ai.

Këshilltari Chollet ka vënë theksin te raportet “shumë të forta” mes Kosovës dhe SHBA-së, e veçanërisht ka potencuar se zyrtarët aktualë më të lartë shtetërorë amerikanë kanë një histori më të hershme që i lidh me Kosovën.

“Presidenti i SHBA-së, Biden, sekretari Blinken, zv.ndihmëssekretari Eescobar, si dhe unë e shumë zyrtarë të tjerë të Qeverisë amerikane, kemi kaluar një pjesë të madhe të jetës sonë profesionale duke u përpjekur të punojmë me Qeverinë dhe njerëzit në Kosovë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, ka deklaruar ai.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit sipas hierarkisë është pozita e dytë pas Sekretarit të Shtetit, ndërsa Derek Chollet që mban këtë pozitë i është bashkuar për herë të parë administratës demokrate amerikane në kohën e presidentit Clinton. Ai ka qenë personi kryesor që ka shkruar fjalimet për Richard Holbrooke gjatë kohës sa ka qenë ambasador i SHBA-së në OKB dhe ka qenë bashkëpunëtor i afërt i tij. Ai ka shërbyer në shumë pozita të larta në administratën amerikane.

“Herën e fundit që kam qenë këtu ka qenë viti 1999 me Richard Holbrook dhe ajo që kemi parë atëherë ka qenë një Kosovë që kishte kaluar në një periudhë shumë të vështirë, por kishte potencial të madh, dhe derisa po reflektoja, Kosovën që e shoh sot është Kosova e pavarur, Kosova vibrante, prosperuese, demokratike, lidere në rajon, lidere në botë… mendoj që duhet të festojmë atë që është arritur në dekadat e fundit. Megjithatë, ka shumë sfida përpara dhe nuk duam të shohim që krejt ajo që është arritur të humbet dhe nuk duam të shohim gjithë atë potencial që unë besoj që është i vërtetë të mos vihet në zbatim”, ka deklaruar ai.

Këshilltari Chollet ka folur për vizionin e SHBA-së për Kosovën.

“Ajo është një Kosovë multietnike, e pavarur, sovrane, e sigurt, prosperuese që është demokratike. Dhe e ndajmë vizionin e Kosovës për integrim të plotë në strukturat euroatlantike dhe evropiane. Që ta marrë vendin që i takon si anëtare e plotë e komunitetit ndërkombëtar”, ka deklaruar ai, duke shtuar se është falënderues për bashkëpunimin mes Kosovës me SHBA-në dhe me të tjerët, për përkrahjen për Ukrainën, dhe për ata që kanë lënë Afganistanin.