Arbëri

Chirripó - një shikim në dy oqeane

Impresione nga ngjitja në Majën Chirripó në Kostarikë, me 3820 metra ajo është kodra më e lartë mes Andeve të Kolumbisë dhe vullkaneve të Guatemalës.

Një legjendë thotë se më 1904 një pjesëtar i një fisi lokal indian u ngjit në Majën Chirripó të Kostarikës. Në vitin 2022 - nuk është legjendë! - një ipeshkëv në Kostarikë ushtroi intensivisht për të mbajtur një meshë në pikën më të lartë të dioqezës së tij. Kështu njoftoi gazeta «Nacion» e Kostarikës. Ipeshkvi Juan Miguel Castro Rojas hoqi 9 kilogramë për t’u ngjitur në Chirripó (3820 metra).

Më 2 nëntor 2023, bashkë me Korab Maculën, një gjakovar i helvetizuar dhe i kostarikanizuar, arritëm në fshatin San Gerardo de Rivas, i cili shtrihet në 1400 metra lartësi mbidetare. Aty gjendet edhe hyrja në Parkun Nacional Chirripó. Dhe shtegu drejt Basecamp Crestones. Aty fillon etapa e fundit për në Chirripó. Numri i bjeshkatarëve që lejohen të hyjnë në park për t’u ngjitur në Chirripó është i limituar. Duhet po ashtu të lajmëroheni paraprakisht online. Të gjitha këto i kishte kryer Korabi me përpikëri juristi e gjakovari (çfarë kombinimi fantastik dhe i mirëseardhur në një vend krejtësisht të panjohur për mua).

Image

Duhet durim për t’u ngjitur në Chirripó. Më 2 nëntor fjetëm në një hotel në San Gerardo de Rivas. Të nesërmen në orën 04:00 të mëngjesit ndezëm llambat për të parë shtegun. Dhe u nisëm. Ngjitja deri te Basecamp Crestones (14 kilometra) nuk është shëtitje pranë Erenikut, as ecje bregut të liqenit të Zürichut. Nga 1400 në 3400 metra lartësi mbidetare - ata që kanë përvojë me alpinizëm e dinë për çka është fjala. Hapat e parë paralajmërojnë një shteg të vështirë. Një ndër arsyet përse njerëzit nisen kaq herët drejt kampit është se duan t’i ikin shiut (që zakonisht fillon të bie nga mesdita). Ose diellit.

Çfarë bie në sy së pari janë nuancat, variacionet dhe shtresëzimet e ngjyrës së gjelbër në Kostarikë. “50 Shades of Green”. Një film i ri.

Image

Në fillim ecim nëpër një pyll jo aq të dendur, pastaj, nga 2000 metra lartësi e tutje, shtegtimi vazhdon nëpër pyllin e lagësht tropikal. Një botë plot me mrekulli. Koloni kërpudhash. Lisa të gjatë, jo aq të gjatë dhe të shkurtër. Shkurre të panumërta. Lëmyshk. Shtëllunga mjegulle që depërtojnë nëpër mal. Rrënjë lisash. Lule. Përroska. Verra. Dafina. Papagaj e zogj të tjerë – për shembull kolibra - që thyejnë heshtjen. Kolibri është zogu më i vogël në botë; në Kostarikë jetojnë 50 lloje të tij. Kolibri lëviz krahët 80 deri në 200 herë brenda sekondës – e pabesueshme sa i shpejt është ky zog. Mund të fluturojë përpara, anash dhe mund të qëndrojë në vend në ajër. Kolibri ushqehet me nektar lulesh dhe insekte.

Mbetet tani për të kaluar edhe pjesën e shtegut që quhet Cuesta de los Arrependitos, që në shqip i bie: shpati i të penduarve. Thuhet se këtu shumë njerëz i bien pishman që kanë marrë këtë rrugë të mundimshme. Për ne kjo dilemë nuk shtrohej. Vazhduam me ritëm të njëjtë, nëpër shi të imët, drejt Basecamp Crestones. Aty arritëm rreth mesditës, të lodhur e të lumtur. Pastaj gati u ngrimë, aq ftohtë ishte në katakombet e kasolles, ku do flinim të mbuluar me 100 shtresa thua se ishim qepë. Para se të hanim darkë e të flinim, u bëmë dëshmitarë të një spektakli të vogël të natyrës, kur dielli përqafoi kullat e shkëmbinjve të quajtura Los Crestones.

E shtuna, 4 nëntori, ishte dita më e paharrueshme. U zgjuam pak para orës 03:00 dhe u nisëm me saktësi të orës zvicerane fiks në orën 03:00 drejt Majës Chirripó. Ecja nëpër terr është ecje nëpër terr: natyra as nuk përjetohet, as nuk shijohet. Por rreth orës 05:00 lindi dielli, qielli mori flakë dhe poshtë nesh dukeshin disa liqene të vogla si pasqyra ku natyra mund të shikonte veten për t’u bindur sa e bukur është (nëse ka dilema).

Image

Pak pas orës 05:00 shkelëm Majën e Chirripós, me 3820 metra ajo është kodra më e lartë mes Andeve të Kolumbisë dhe vullkaneve të Guatemalës. Në lindje, në drejtim të Panamsë, dielli ngjitet drejt zenitit, në perëndim duket Cerro de la Muerte, kodra e vdekjes (3415 metra). Quhet kështu për shkak të vështirësive për ta kaluar. Këtu gjarpëron edhe një pjesë e Panamericanas, një sistem rrugësh që lidhë Alaskën me Tokën e Zjarrtë (Tierra del Fuego) në Argjentinë.

Nga Chirripó shihen dy oqeane: Paqësori dhe Atlantiku. Pasi e përjetësuam me fotografi këtë moment të paharrueshëm, morëm të njëjtin shteg për t’u kthyer te Basecamp Crestones. Te Valle del los Conejos (lugina e lepujve) morën një shteg tjetër për të parë një liqen (nuk do kishim humbur gjë nëse nuk do ta kishim parë). Herët, para orës 11:00, pas rreth 7 orë ecjeje, u kthyem prapë në kamp. Këtu do flinim sërish. Bjeshkatarë të tjerë kthehen të njëjtën ditë në fshatin San Gerardo de Rivas. Nuk është vendim i mençur. Sa më i lodhur, aq më i madh rreziku i ndonjë lëndimi.

Edhe një natë në Basecamp Crestones. Darka: ushqim tradicional, shumë oriz, shumë fasule, peshk, mish pule, perime. Rrobat që i kishim përdorur, rrobat që ishin bërë qull nga djersët e shiu i futëm në një çantë dhe i dorëzuam për transport drejt fshatit San Gerardo de Rivas. Këtë shërbim e kryejnë disa djem me kuaj e mushka.

Image

Të dielën, më 5 nëntor, me këmbë të lehtë e bajagi krenarë për ngjitjen në kodrën Chirripó, zbritëm në fshat. Hoteli ku kishim fjetur më 2 nëntor ofronte një shërbim falas dhe fantastik: mund të bëje dush aty pasi ke ecur sërish 14 kilometra. Kur pikat e para të ujit bien mbi kokë dhe shpërndahen nëpër trup duke hequr djersën që rrjedh si çurg, lumturia është e papërshkrueshme.

Për 3 ditë kaluam në këmbë mbi 40 kilometra. Dhe gjatë këtyre tri ditëve përherë në mëngjes na tejkalonte një njeri duke vrapuar. Dikur e ndalëm, e pyetëm se pse po vraponte. Tha se po ushtronte për një ultra-maratonë në Guatemalë. Nga fshati San Gerardo de Rivas deri në Chirripó ai ngjitej për 4 orë. Po, për 4 orë! Dalin këso tipash dhe ta relativizojnë suksesin me një buzëqeshje. Megjithatë, ngjitja në Chirripó ishte një përjetim i paharrueshëm. Në librin e Chirripós, në gati 4000 metra lartësi, lamë një shënim me supozimin se ishim kosovarët e parë në këtë kodër. Ndoshta.

Image

Në San Gerardo de Rivas gjendet një restorant me enterier të bukur. Quhet Jardines Secretos. Nga muri mysafirët i përshëndet piktorja e famshme meksikane Frida Kahlo - jo vetëm me portretin e saj, por edhe me këtë porosi: «Viva la vida». Në pellgun e afërt me lokalin notojnë disa breshka. Në meny gjendet «Casado», e cila konsiderohet si ushqimi më tradicional i Kostarikës. Përkthyer drejtpërdrejtë «Casado» domethënë «i martuari». Emri vjen nga tradita kur gratë ua përgatisnin një ushqim të pasur burrave që kryenin punë të rënda në ara. «Casado» përbëhet nga mishi apo peshku, fasulja, orizi, banane të ziera, sallatë.

Shkrimi i radhës nga udhëtimi në Kostarikë do të botohet në ditët në vijim.

 

Image