Arbëri

Çfarë u tha sot në takimin e Thaçit për “të vërtetën dhe pajtimin”

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mbledhur për të dytën herë takimin konsultativ për të vërtetën dhe pajtimin, këtë herë me përfaqësues të shoqërisë civile e të medieve, raporton KTV.

Në njërën anë kishte ulur Bajram Çerkinin e në anën tjetër Milorad Trifunoviqin, njëri përfaqësues i familjarëve të të pagjeturve shqiptarë e tjetri përfaqësues i serbëve.

Aty presidenti kishte vendosur të përsëriste thuajse tërë fjalimin që e kishte mbajtur në takimin e parë të 13 shkurtit.

Tha se ky komision nuk do të zëvendësojë drejtësinë dhe as dialogun me Serbinë, por ka për synim të vërtetën, e cila sipas tij, çliron dhe pastron njerëzit. Kreu i shtetit tha se komisioni do të jetë i pavarur, i paanshëm dhe i pandikuar politikisht.

Ndërkohë, sipas Behxhet Shalës, mund të punohet për të vërtetën, por tha se është herët për pajtimin.

Deputeti Blerim Shala thotë se kjo nismë synon të vërtetën, faljen dhe pajtimin në kohën kur në Evropë mbizotëron mosdurimi, manipulimi e gënjeshtra.

Këtë nismë të presidentit e ka kundërshtuar fuqishëm shoqata “Thirrjet e Nënave”, të cilat kanë paralajmëruar edhe protesta nëse ky komision jetësohet.