Në debatin e së martës në KTV është diskutuar se çfarë do të ofrojnë partitë politike për shëndetësinë. Në studio ishin të ftuar Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje, Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike, Ardian Shala nga Lidhja Demokratike dhe Shemsedin Dreshaj nga koalicioni AAK – Nisma.

Pagat e ikja e mjekëve përplasin kandidatët për deputetë

2 muaj më parë / 28 jan 2025 22:08
zgjedhjet

Çështja e pagave dhe ikjes së mjekëve ka përplasur kandidatët për deputetë të Vetëvendosjes, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës e atij të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Debatin e ka nxitur kandidatja e VV-së, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, e cila ka thënë se pagat për mjekët janë rritur si kurrë më parë, e se me rritjen e pagave është rritur kërkesa për licencime për të qenë pjesë e sistemit shëndetësor në Kosovë.

“Për herë të parë barazohet mjeku specialist me deputetin, përfshi kujdestaritë. Paga 600, është bë 1300. Këta le të jenë të lumtur që ne, sido që të jetë, edhe pse do e kemi edhe Qeverinë Kurti 3, paramendo çfarë baze po e lëmë... së paku paga më nuk do të ulet. Për profesionistët tjerë shëndetësorë, patjetër që do të bëhet një rivlerësim. Infermierëve teknikë edhe do t’u rritet paga menjëherë në fillim të vitit, por puna e tyre do vlerësohet si e meritojnë”.

Kollçaku-Mulhaxha ka shtuar se ka pasur “trefishim më shumë kërkesa për kthim sesa për largim nga Kosova”. 

Kandidati i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, e ka quajtur këtë dezinformatë.

“Kjo është dezinformatë, ikja është shumë më e madhe se prurja”, ka thënë ai.

Kandidati i PDK-së, Bekim Haxhiu, është shprehur se për tri vitet e fundit numri i të larguarve nuk ka qenë kurrë nën 180.

“Ligji i Pagave është miratuar më 2022, veç mjekë specialistë 2022-2023-2024 asnjë vit nuk është nën 180 që kanë ikur”.

Ardian Shala, kandidat i PDK-së, ka theksuar se ekspertët shëndetësorë që Qeveria ka thënë se do të vinë, nuk kanë ardhur asnjëherë.

Është thënë se kanë me ardhë shumë ekspertë prej jashtit, kanë me kontribu shumë, me padurim kemi pritë, asnjëherë kurrë nuk i kemi parë. Në të kaluarën i kemi parë, në këtë mandat të Qeverisë jo.

“Nuk është mirë me vjedhë” – Bekim Haxhiu debat me Fatmire Kollçakun

2 muaj më parë / 28 jan 2025 21:44
Haxhiu - Kollcaku

Bekim Haxhiu e Fatmire Kollçaku-Mulhaxha janë përplasur në debat për shëndetësinë derisa kanë folur për gjendjen e klinikave.

Haxhiu ka paraqitur një grafikë ku ka thënë se janë renovimet e bëra në shtatë klinika të QKUK-së e se Qeveria i ka keqpërdorur.

Por, Kollçaku ka thënë se informatat që Haxhiu thotë se i ka duhet t’i çojë në Prokurori dhe jo t’i prezantojë në media.  

“Demolimi në Gjinekologji i shtresës së ventilimit është 32 euro për metër katror, në Onkologji i njëjti 3 euro. Demolimi i mureve ndarëse 55 euro metri katror... Vetëm në 12 pozicione dallimi mes Gjinekologjisë dhe Onkologjisë është 506 mijë euro”, ka thënë Haxhiu.

E, Kollçaku ka thënë se duhet t’i vlerësojë ndryshimet e bëra “që janë shumë më mirë”.

“Qysh more më mirë me vjedhë, është më keq me vjedhë. 55 euro me rrëzu një mur ndarës, e murin ndarës në Onkologji është paguar 4 euro. Këta nuk kanë ditë me punu në shëndetësi, këta kanë vjedhë qashtu në armaturë, dyer, demolime”, ka thënë tutje Haxhiu.

Shala i LDK-së përplaset me Kollçakun e LVV-së për gjendjen e spitaleve

2 muaj më parë / 28 jan 2025 21:40
kollçaku - shala

Ardian Shala i Lidhjes Demokratike është përplasur me Fatmire Kollçakun nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e akuzuar partinë në pushtet se s’kanë bërë asgjë për rregullimin e gjendjes së spitaleve.

Shala ka shfaqur fotografi nga spitali ku trajtohen pacientët me kancer e ku nuk ka shtretër të mjaftueshëm për ta. Sipas tij, kjo foto është bërë vitin e kaluar dhe se Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar në vitin 2021 se do ta rregullonte këtë.

“Nëse ka qenë pandemia atë kohë, fushata është mbajtur në vitin 2021 dhe ju atëherë jeni zotuar se që në vitin e parë do t’i bëni sigurimet shëndetësore. Kanë qenë zotime publike. Ne për programin tonë jemi bazuar në këtë kohë kur po jetojmë, gjendja e spitaleve, gjendja e shërbimeve dhe e kemi hartuar një plan. Edhe ju atëherë jeni bazu diku. Ja një foto që tregon se nuk i keni mbushur zotimet... janë 10 shtretër ku trajtohen pacientët me kancer, ka disa që rrinë në karrige, s’ka shërbime”, ka thënë Shala në KTV të martën.

Por Kollçaku e ka fajësuar pandeminë pse nuk kanë mundur të realizohen të gjitha planet e Qeverisë për shëndetësisë.

“Nëse ndodh një katastrofë e tillë (siç ishte pandemia), a do ta zbatoni plani fije për pe ju LDK-ja? Nuk mundemi krejt me i rregullu brenda mandatit e parë. Nuk kam ardhur me i qit xhirimet e juaja ku i keni lënë aparatura e onkologjisë, ku ka rrjedhur uji”, ishte kundërpërgjigja e Kollçakut.

Ndërkohë Shala ka thënë se kjo qeveri nuk ka rregulluar asgjë.  

Partitë parlamentare premtojnë sigurimin shëndetësor gjatë mandatit të ardhshëm

2 muaj më parë / 28 jan 2025 21:26
shëndetësia

Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje, Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike, Ardian Shala nga Lidhja Demokratike dhe Shemsedin Dreshaj nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma, secili ka premtuar se nëse partia e tyre vije në pushtet qytetarët do të kenë sigurim shëndetësor gjatë mandatit të ardhshëm. Dallimi është vetëm periudha në të cilën pritet të nisë implementimi, bazuar në atë se çka thënë kandidatët për deputet të martën në debatin në KTV.

Fatmire Kollçaku nga partia në pushtet ka thënë se zbatimit i ligjit për sigurim shëndetësor do të nisë në fund të mandatit të ardhshëm.

“Baza është krijuar për veprime dhe zbatimin e ligjit për sigurim shëndetësor publik. Mandatin që po përfundon nuk ka qenë i mundur edhe sikur në fillim të mandatit të miratohej që ligji të zbatohej. Tani është pasqyrë krejt tjetër. Zbatimi bëhet përfundimisht në fund të mandatit të ardhshëm. Kemi rregulluar sektorin farmaceutik në të cilin perceptimi ka qenë se gjithçka është e korruptueshme, plus rimbursimi i barnave”, ka thënë ajo.

E Bekim Haxhiu nga PDK-ja ka thënë se ndër prioritetet e para do të jetë implementimi i sigurimit shëndetësor, i cili sipas programit të partisë më të madhe opozitare, do të nisë së zbatu në dy vjetët e para.

“Prioriteti i parë është implementimi i sigurimit shëndetësor gjatë dy vjetëve të para të Bedri Hamzës në qeveri. Në dy vitet e para fillon zbatimi. Katër vjet u është dashur me shkru një projektligj të lodhtë kësaj qeverie. Nuk ka ligj të shërbimeve shëndetësore, nuk ka as listë të çmime, sistemi i informimit shëndetësor është siç ka qenë, nuk është bërë asnjë hap përpara. Buxheti që ka qenë i destinuar për të, nuk janë shfrytëzuar mjetet. Duhet bërë digjitalizimi i sistemit shëndetësor”, ka theksuar Haxhiu.

E Ardian Shala ka thënë se me LDK-në në pushtet, sigurimi shëndetësor do të nisë së zbatuari që në vitin e parë të qeverisjes.

“Ne e kemi planin konkret për sigurimin shëndetësor dhe jemi bazuar shumë edhe në afate kohore qysh rrjedhin. Në vitin e parë do t’i ndajmë 140 milionë euro për funksionalizimin e implementimin për sigurimet shëndetësore nga buxheti i shtetit, në vitin e dytë pritet të mblidhen premiumet – 3.5 për qind e paguan qytetari, pjesën tjetër punëdhënësi. Ne e kemi në zotim që do ta fillojmë nga viti i parë. Ligjin që e ka formuar kjo qeveri kanë shkuar ad-hoc, nuk ka as listë të shërbimeve, as çmimore. Ne do t’i bëjmë që në vitin e parë”, ka deklaruar Shala.

Sipas Shemsedin Dreshajt nga koalicioni AAK – Nisma, nëse nuk ka pengesa administrative e politike, qytetarët do ta kenë sigurimin shëndetësor pas katër vjetëve.

“Në variantin më të mirë, mua më nevojiten dy vjet që ta implementojë sigurimin shëndetësor. Në variantin normal, nëse nuk ka pengesa administrative dhe politike, mua më duhen katër vjet që qytetari ta ketë shërbimin shëndetësor. Kryeministri i nominojë shëndetësinë dhe arsimin si prioritet në mbledhjen e parafundit të Qeverisë, por prioritet qeverisë për shëndetësi me 3.4 për qind të GPD-së, vërtet është e papritshme t’i adresojë problemet që ka ky vend”, ka thënë Dreshaj.