Arbëri

Çfarë do të kërkojë Kosova nesër në Samitin e Berlinit

Dialog pa kushte me Serbinë do të kërkojë Kosova në Samitin e Berlinit, i cili do të mbahet të hënën, raporton KTV.

Kështu ka thënë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në prag të nisjes për Gjermani, për çka, shtoi se do të kërkojë marrëveshje si ajo e arritur mes Maqedonisë e Greqisë. 

Presidenti ka thënë se është kundër shkëmbimit të territoreve, por për bashkim të Kosovës me Luginën e Preshevës.

Ai ka thënë se këto ditë është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë për konferencën e thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e presidenti francez, Emanuel Macron.

Thaçi tha se në Berlin, do të kërkojë edhe liberalizim të vizave dhe dënim të gjenocidit serb.

E, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se shpreson që të mos ketë dallime në qëndrime me presidentin Thaçi, duke përsëritur se qëndrimi i Qeverisë mbetet i njëjtë.

Ndërkaq për LDK-në, të hënën merr fund edhe ideja për ndryshim kufijsh.

“Duke e ditur qëndrimin e Gjermanisë lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, besoj se plani i mbrapshtë për korrigjim të kufijve do të mbyllet si ide”, ka thënë mes tjerash Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Në anën tjetër, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar unitet mes përfaqësuesve kosovarë.

Në Berlin, edhe Serbia përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja, Ana Bërnabiq.