Arbëri

“Çështje ditësh” rregullorja me lehtësira për personat në karrocë

Përfaqësues të Ministrisë së Financave kanë raportuar sërish pas gati tetë muajsh në Komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut lidhur me rregulloren e re për personat paraplegjikë e tetraplegjikë. Ata u zotuan se miratimi i rregullores është çështje javësh dhe theksuan se në të janë adresuar problemet e kamotshme që lidhen me vlerësimet e dyfishta nga komisionet mjekësore

Agon Dobruna, zëvendësministër i Financave, ka dhënë të mërkurën një datë tjetër për miratimin e një rregulloreje për personat me aftësi të kufizuara, pas shkeljes së një afati tjetër që e pati dhënë gati tetë muaj më parë.

“Është çështje javësh, jo muajsh, për të mos thënë ditësh”, ka thënë Dobruna në Komisionin parlamentar për të Drejta të Njeriut.

Sipas Dobrunës, rregullorja për vlerësimin e gjendjes shëndetësore dhe njohjen e statusit të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë ndodhet në Thesar në fazën e vlerësimit të ndikimit financiar, dhe më pas do të kalojë për miratim në Qeveri. 

Gjatë raportimit në Komision, ai ka thënë se me rregulloren e re u është dhënë zgjidhje problemeve të kamotshme, nisur nga shuarja e dy komisioneve mjekësore dhe kontraktimit të mjekëve direktë nga Ministria e Financave.

“Me këtë rregullore të re nuk do të ketë më rivlerësime. Çka është më e rëndësishmja, do të jetë vlerësimi i përhershëm. Domethënë, një person paraplegjik dhe tetraplegjik kur të vlerësohet se është aty, nuk ka nevojë më me ardhë në rivlerësim. Kjo nënkupton që ne i heqim radhët nëpër zyrat e ‘Handikosit’ dhe në zyrat tona”, ka thënë Dobruna.

Ai është zotuar edhe për rritje të përgjegjësisë dhe llogaridhënies së mjekëve të ardhshëm përmes sekretarit të përgjithshëm, ndonëse edhe deri më tani përbërja e komisionit është bërë me aprovim të tij. 

Dobruna ka përmendur edhe disa procedura të reja. 

“Aplikimi do të jetë online. Ata që nuk kanë mundësi me ardhë do t’ju sigurojmë mjet transporti. Ata që nuk kanë mundësi as me transport, komisioni do të shkojë në shtëpinë ku banojnë dhe do të jetë gjithçka shumë më e lehtë”, ka thënë ai.

Ndryshimet e bëra në rregullore u vlerësuan si pozitive edhe nga përfaqësuesi i shoqatës “Handikos”. 
“Ka qenë një dështim komplet i komisionit paraprak. Madje komisioni as atë rregullore e cila nuk ka qenë edhe shumë e mirë, as atë nuk e ka marrë për bazë, andaj ne po shpresojmë se do të jetë ky vlerësim shumë më i drejtë dhe shumë më i mirë, edhe rivlerësim për ata që e marrin vendimin apo statusin e personit paraplegjik apo tetraplegjik, edhe nuk ka rivlerësim që me maltretu prapë personin”, ka thënë drejtori i “Handikosit”, Afrim Maliqi.

Deputetë që janë anëtar të Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut kërkuan sqarime për ndalesën që ky grup i shoqërisë të përfitojë pension në vlerë të pagës minimale. 

E kryetarja e komisionit, Duda Balje, është interesuar nëse përmes rregullores do të ketë rritje të mjeteve financiare për sigurimin e kujdestarit personal, që prej 2017-s pagesa është 150 euro.

“Po du me besu se keni bërë ndonjë rritje, prej 150? A keni planifikuar ta rrisni koston? Zëvendës a e keni rritur koston për përcjellësin”, ka pyetur ajo.

“Për përcjellësin është kosto qysh ka qenë”, i është përgjigjur zëvendësministri Dobruna.

Ndonëse është përgjegjësi e Ministrisë së Financave, zëvendësministri i këtij dikasteri ka zgjedhur që për këtë çështje ta pyesë përfaqësuesin e shoqatës “Handikos” nëse është kërkuar rritja e vlerës monetare për shoqëruesin.

“Si mund të zgjidhet kjo, a po na rekomandoni si, kujt me iu drejtu. Ne jemi shoqatë, kuptona pak. Nuk mund të zgjidhim gjithçka. Ne kemi punuar me rregullore, kemi punuar me ligj, në udhëzim administrativ. Kontributi ynë në krahasim me një shoqatë është jashtëzakonisht më i madh sesa krejt i këtij shteti, jo veç tash, por çdoherë”, është përgjigjur Maliqi.

Në Komision ka raportuar edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, i cili bëri të ditur se sivjet për herë të parë përmes Shërbimit Spitalor Klinik Universitar do të sigurohen pajisjet ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara.