Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka marrë pjesë në një takim me delegacionin e Qeverisë së SHBA-së, të udhëhequr ndihmësi i parë i zëvendës sekretarit të Departamentin të Energjisë, Matthew Zais, ku është diskutuar implementimi i pikave të Marrëveshjes së 4 Shtatorit, të cilat lidhen me diversifikimin e burimeve të sektorit të energjisë, si dhe studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.
Sipas njoftimit për media, Kuçi në ekspozenë e tij rreth strategjisë së ardhshme të energjisë dhe diversifikimit të burimeve, tha se kjo strategji do të mbështetet në pesë shtylla, burimet e energjisë së ripërtritshme, burimet e linjitit, burimet e gazit, aplikimi i masave efiçiente të energjisë dhe integrimi në tregun regjional.
“Mbi këtë bazë, ministri Kuçi u zotua për projektet konkrete që do të trasojnë rrugën për jetësimin e këtyre objektivave. Në aspektin e Studimit të Fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, si një nga pikat e veçanta në Marrëveshjen e 4 Shtatorit, ministri Blerim Kuçi paraqiti një historik të shkurtër të Ndërmarrjes Publike ‘Iber-Lepenci’, e cila që nga viti 1967 operon dhe menaxhon me asetet ekzistuese, përfshirë edhe Liqenin e Ujmanit”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën për media thuhet se “me qëllim të implementimit të suksesshëm, Qeveria e Kosovës do të procedojë planin aksional që do të koordinoj punën me grupe teknike vendore për marrëveshjet e 4 shtatorit”.
Ndërkaq bëhet e ditur se Matthew Zais përsëriti edhe njëherë zotimin e SHBA-së në mbështetje të Kosovës, në funksion të diversifikimit të burimeve të energjisë, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe tranzicionit gradual drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë.