Arbëri

Çerdhet modulare vetëm në letër, komunat presin nga MASHTI t’i furnizojë me to

Asnjë cent nuk është harxhuar për ndërtimin e çerdheve modulare që Ministria e Arsimit i zotoi vitin e kaluar. Çerdhet e këtilla u bënë opsion nga Qeveria, për të synuar përmbushjen e premtimit për ndërtimin e 160 çerdheve gjatë këtij mandati që po përfundon. Përfaqësues të komunave thanë se i kanë dorëzuar në fillimvit të gjitha dokumentet në Ministri për çerdhe modulare, porse ndërtimi i tyre nuk ka nisur

Për të përmbushur premtimin për ndërtim të 160 çerdheve, Ministria e Arsimit pati paralajmëruar çerdhe modulare, që nënkupton ndërtimin e objekteve me pjesë të parafabrikuara.

Kjo u bë me arsyetimin për ta shkurtuar procesin e realizimit të objekteve, nga 2 vjet në 4 muaj.

Por kur është bërë një vit nga ky premtim, ende asnjë çerdhe modulare nuk është ndërtuar në vend.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2025, asnjë cent në buxhetin e vitit 2024 i dedikuar për ndërtimin e tyre nuk është harxhuar këtë vit. Për pasojë, 2.8 milionë euro janë bartur për vitin e ardhshëm.

Përveç kësaj, edhe buxheti i dedikuar për objektet e ndërtuara në fabrikë është zvogëluar. Bazuar në buxhetin e këtij viti, 400 mijë euro më pak është shuma e paraparë për vitin e ardhshëm për këto çerdhe modulare.

Për numrin e vogël të çerdheve, Ministria e Arsimit në vazhdimësi ka fajësuar komunat për mosdërgimin e kërkesave për ndërtim.

E në Fushë-Kosovë thanë se i kanë dorëzuar në fillimvit të gjitha dokumentet për ndërtimin e një çerdhe modulare.

“Ne si DKA i kemi dorëzuar të gjitha dokumentet qysh në fillim të vitit. Shpresoj se MASHTI do të fillojë sa më shpejt”, ka thënë Fatlum Berisha, drejtor i Arsimit në Fushë-Kosovë.

Drejtori i Kolegjiumit të Drejtorive Komunale të Arsimit, Muhamet Gjoka, ka thënë se e njëjta situatë është edhe në disa komuna të tjera.

“Është dashtë të parashikohet se procedurat e aplikimit dhe të përcaktimit të lokacioneve marrin kohë. Qeveria sigurisht është vonuar në këtë pikë dhe prandaj kanë shkuar me çerdhe modulare që të përfundohen më shpejt, por edhe ato siç shihet do të përfundojnë mandate dhe ende nuk kanë filluar pothuajse”, ka thënë Gjoka.

Ndërkohë në Ministri të Arsimit kanë theksuar se ndërtimi do të fillojë së shpejti.

“Janë marrë 8 leje ndërtimore për ndërtimin e çerdheve, prej tyre vetëm katër komuna kanë pranuar leje për projektet e çerdheve modulare dhe ato janë: Rekë - Kaçanik; Brodosan - Dragash; Fushë-Kosovë dhe Petrovë - Shtime. Ndërsa 4 leje të tjera që janë lëshuar për ndërtimin e çerdheve modulare, komunat nuk kanë pranuar projekte modulare me arsyetimin e mungesës së lokacioneve adekuate, andaj janë lëshuar lejet për ndërtimin e çerdheve nga sistemi jomodular””, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Qëkur ka nisur mandati i qeverisë aktuale, gjithsej pesë çerdhe të reja janë ndërtuar dhe janë funksionale. Ndërsa, numri i përgjithshëm i çerdheve të përfunduara, shkollave të adaptuara në çerdhe, çerdheve që janë në proces të ndërtimit dhe atyre që janë proces të tenderimit, është 59.