Arbëri

Çekia: Suksesi i dialogut Kosovë-Serbi, thelbësor në rrugën drejt BE-së

Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë është e lidhur me ecurinë e dialogut, ka thënë të enjten ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek.

Në diskutimin e mbajtur lidhur me kryesimin çek të Bashkimit Evropian, Pavel Bilek është zotuar për angazhim në integrimin në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe në heqjen e vizave për Kosovën.

“Presidenca do t’i kushtojë vëmendje të veçantë normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Suksesi i dialogut është thelbësor për të ardhmen evropiane e të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Liberalizimi i vizave është i vendosur lart në agjendën e Presidencës ceke”, ka thënë ambasadori Bilek.

Me ndërlidhjen e procesit integrues të Kosovës me atë të bisedimeve me Serbinë, nuk u pajtua zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Ne nuk mendojmë që është e drejtë që të përdoren marrëdhëniet e BE-së me Kosovën me procesin e dialogut. Dialogu është një proces i rëndësishëm, por paralelisht të gjithë janë në agjendën e BE-së. Kosova nuk ekziston për shkak të dialogut ose se i duhet dialogu. Kosova ekziston për shkak të qytetarëve të saj dhe aspiratës së tyre që shkojnë përtej dialogut me një shtet tjetër”, pohoi Bislimi.

Për Bashkimin Evropian, prioritetet e Çekisë janë në një linjë me ato që kanë institucionet evropiane.

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, tha se Presidenca ceke do të duhej të fokusohej në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, e veçanërisht në sigurimin e energjisë.

Në fillim të korrikut, Çekia e mori nga Franca kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, të cilin do ta mbajë deri në fund të këtij viti.`