Branko Çeçen, drejtor i Qendrës për gazetari hulumtuese në Beograd, ka thënë se ditëve të sotme është bërë e vështirë të saktësohet se në çfarë forme po bëhet korrupsioni në shtetet ballkanike.
Në natën e fundit të Digital Born Media Carnival, Çeçen ka thënë se njerëzit kanë ndryshuar me të madhe format e vjedhjeve nëpër institucione, raporton Koha.net.
"Njerëzit më nuk po vjedhin miliona me tender. Nuk vjedhin në mënyrë të thjeshtë dhe të shpenzojnë paratë në kështjella e jahte. Tani është bërë e vështirë të zbulojmë format e korrupsionit", ka thënë Çeçen.
"Ata ndihmohen nga qeveritë, kanë blerë mediat dhe çdo gjë tjetër", ka shtuar ai.
Gjatë prezantimit të tij me temën "Luftimi i korrupsionit", ai ka thënë se qeveritë kanë vetëm fjalë dhe bëjnë shumë pak për të luftuar korrupsionin.
"Ato kanë vetëm fjalë, asgjë tjetër. I kemi lutur që të dalin me statistika se si kanë luftuar korrupsionin, por nuk ka statistika. Ka vetëm fjalë", ka thënë Çeçen.
Gjithë qeveritë vazhdojnë të flasin se si duhet luftuar korrupsionin, por ata nuk kanë statistika për korrupsionin.