Viti, 18 maj - Në fshatin Potogorcë të komunës së Vitisë po zhvillohen punimet për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit. Në fazën e parë të punimeve përfshihen edhe fshati Stubëll, Deblldeh dhe Letnicë. Zyrtarët e komunës së Vitisë kanë thënë se punimet për shtrirjen e rrjetit do të vazhdojnë edhe në fshatrat e tjerë, por në një fazë tjetër.
Mbështetjen më të madhe për projektet e ujit komunat e Kosovës e kanë gjetur tek shteti i Zvicrës, që vazhdon të jetë donatori më i madh në këtë fushë.
Mirëpo CDI-ja zvicerane e cila është duke implementuar punimet për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit kërkon nga komunat që të punojnë më shumë në finalizimin e projekteve në ujësjellës sepse sipas saj, pasi po përfundojnë punimet në rrjet, banorët pastaj po refuzojnë të kyçen shkaku i pagesës.
Përfaqësuesi i CDI-së, Astrit Vokshi ka thënë se nëse banorët nuk kyçen në rrjet atëherë projekti llogaritet i papërfunduar.
“Obligimi jonë është me përfundu rrjetin e ujësjellësit. Kurse është në dorën e komunës, kompanisë së ujësjellësit dhe banorëve sa i përket kyçjeve. Kyçjet janë individuale dhe një kyçje kushton rreth 150 deri 200 euro me rrjet, me pusetë dhe orëmatës. Projekti nuk llogaritet i përfunduar nëse nuk kyçen banorët në rrjet. Dhe kemi probleme nëpër komuna në këtë aspekt. Është rrjeti por nuk kyçen për shkak të pagesës. Komuna dhe banorët duhet të merren vesh sa i përket kyçjeve” ka thënë ai.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka thënë se ka një pajtim që për obligimet për kyçje individuale në rrjetin e ujësjellësit të paguajnë vet banorët. “Projekti ka edhe kriteret e veta sepse ka obligime edhe për komunitetin. Ato obligime janë kyçjet”, ka thënë ai.
Drejtori i kompanisë regjionale të ujësjellësit “Hidromorava”, Muhamed Suliqi ka thënë se ata i marrin në menaxhim rrjetet e ujësjellësit pasi të finalizohet projektit. Sipas tij, në disa komuna të Anamoravës rrjetet nuk janë finalizuar. “Po ka rrjete të cilat nuk janë të finalizuara nëpër shumë komuna. Dhe ne i marrim rrjetet në menaxhim atëherë kur ato janë të gatshme. Kemi edhe në komunë të Vitisë që për disa arsye disa rrjete të ujësjellësit nëpër vendbanime nuk janë finalizuar”, ka thënë Suliqi.