Arbëri

Canaj: Kurtit i konvenojnë zgjedhjet

Sipas ish-diplomatit Blerim Canaj, rrëzimi i Qeverisë Kurti aktualisht nuk është i mundshëm. Ai ka thënë se kryeministrit Albin Kurtit i konvenon të shkojë në zgjedhje të reja.

“Kurtit i konvenon të shkojë në zgjedhje sidomos para fillimit të debateve të rënda për themelimin e Asociacionit sepse e dimë se do të themelohet. Nëse partitë do të votojnë rrëzimin e tij, do të shohim mobilizim të Kurtit. Besoj se do shkoj deri në fund të mandatit”, ka deklaruar Canaj në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV të premten.

Të enjten kryeministri Kurti në një intervistë për televizionin publik u shpreh se është i gatshëm të diskutojë me opozitën për të çuar vendin në zgjedhje. Ai u shpreh i gatshëm për zgjedhje të reja, ndërsa të premten tha se nuk do të dorëhiqet për të mundësuar realizimin e kërkesës së opozitës. Ai deklaroi se me opozitën mund të dakordohet për të shpërndarë Kuvendin dhe jo që ta çojë vendin në zgjedhje nëpërmjet dorëheqjes.

Sipas Canajt, Serbia mund të provokojë e të nxisë sulme të tilla si në Banjskë, por nuk mund të shkaktojë një luftë tjetër në Kosovë.

Të enjten, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë gjendur disa metra larg kufirit me Kosovën, gjë që ka nxitur reagim ndërkombëtar. KFOR-i ka thënë se situata është e qetë, ndërkohë ndihmëssekretari amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se presidenti serb e di mirë se përdorimi i çfarëdo force ndaj Kosovës është i papranueshëm.

“Situata natyrisht se është e brishtë sepse e dimë që për shkak të katrahurave gjeopolitike dhe aleancave që ka Serbia me Rusinë, mund që në emër të aleancës të provokojë. Nuk mund të themi që mund të ketë një luftë në kuptimin klasik, por provokime të tilla si rasti i Banjskës mund të ketë vazhdimisht. Nëse forcat janë afruar, e shoh si provokim. Ne i kemi forcat e KFOR-it, dhe shtrohet pyetja futet Serbia por me kë dëshiron të luftojë, a dëshiron të luftojë me tërë botën”, ka thënë ai.

Canaj është shprehur se e sheh Bosnjën më në rrezik sesa Kosovën, ndërsa ka shtuar se Qeveria e Kosovës shpesh po merr vendime ad hoc.

“Ne e kemi një Qeveri që shpeshherë i merr disa vendime që në dukje janë më shumë ad hoc se të menduara mirë dhe ka sjellë deri aty që bashkësia ndërkombëtare të kujdeset vetë për disa çështje pa bashkëpunim me institucionet përgjegjëse të Kosovës... më në rrezik e shoh Bosnjën se Kosovën momentalisht. Por, Kosovën e shoh në rrezik të grupeve eventuale që mund të futen dhe të shkaktojnë incidente”, ka potencuar ai.

Canaj ka pohuar se ndaj Kosovës po ushtrohet presion më i madh ndërkombëtar se ndaj Serbisë, e këtë presion ai ka thënë se Kosova e ka ndjellë duke mos qenë konstruktive.

“Po. Këtë presion si duket e kemi ndjellë për shkak se në shumë çështje ne nuk jemi treguar konstruktiv. Përshtypja ime thotë se borxhi ndaj premtimeve të elektoratit pastaj sjell në një pozicion të tillë që shpeshherë merren vendime ad hoc që plotësojnë egot politike të personave të caktuar dhe dëshirat të një pjese të elektoratit që i bie që shumë veprime bëhen për konsum të brendshëm por ky konsum i brendshëm pastaj po i kushton vendit”, ka thënë tutje analisti Canaj.

Canaj ka theksuar se si shtet i vogël, Kosova është me fat që ende qëndron brenda interesave ndërkombëtare për shkak të ndryshimit të gjeopolitikës pas luftës në Ukrainë.