Arbëri

Caktohet seanca gjyqësore për “veteranët e rrejshëm”, aktakuza sipas asaj që ka përpiluar Blakaj

Foto: Koha / ilustrim

Më 28 janar do të fillojë mbajtja e seancave gjyqësore në rastin e njohur si “Veteranët e rrejshëm”.

Ky rast do të bartet nga Prokuroria Speciale për në gjykatë. Kështu ka thënë për KosovaPress, prokurori Sylë Hoxha.

Ai theksoi se e gjithë aktakuza është në bazë të asaj që ka nënshkruar prokurori i dorëhequr Elez Blakaj.

“Ka ardhur ftesa nga gjykata, seanca fillestare pritet të jetë me datë 28 janar, e gjithë aktakuza për këtë rast është në bazë të asaj që ka përpiluar ish-prokurori Blakaj”, tha shkurt Hoxha.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, të gjithë në pozita të larta shtetërore për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.