Arbëri

Caktohet përbërja e panelit për zgjedhjen e Bordit të KOSTT-it

Hykmete Bajrami nga LDK, Liburn Aliu nga Vetëvendosje, Sala Berisha-Shala nga PDK, Muharrem Nitaj i AAK-së, Duda Balje nga 6+ dhe Veton Berisha i Nismës, do të jenë pjesë e panelit për zgjedhjen e Bordit të KOSTT-it.

Kështu ka vendosur Komisioni për Zhvillim Ekonomik në mbledhjen e mbajtur sot.

Kryetarja e këtij komisioni Sala Berisha-Shala, tha se nga britanikët është kërkuar që në panel të mos jenë më shumë se 7 persona, por prapë ajo ka thënë se mund të marrin pjesë të gjithë deputetët e komisionit që dëshirojnë.

"29 kandidatë janë që kanë aplikuar për bord të KOSTT-it, intervistimi i një kandidati do të zgjasë 1 orë e 30 minuta. Mendoj se do të zgjatë procesi deri në një javë", tha ajo, përcjell kosovaPress.

Nitaj tha se në këtë panel duhet të jetë nga një përfaqësues prej secilës parti.

"Nuk po mendoj që kjo është çështje e interesimit apo e mos interesimit. Meqë ju e pasni marrë një dakordancë nga partneri që të shkojnë numri deri në 7. Propozojë që të shkojë një përfaqësues i secilit grup parlamentar të jetë pjesë e panelit", tha ai.

Kryetarja e komisionit Sala Berisha Shala, tha se deputetët që marrin pjesë në këtë panel duhet të jenë gjatë gjithë kohës.

Ajo bëri të ditur se intervistimi i kandidatëve do të fillojë në fundin e javës së parë të dhjetorit.