Arbëri

Cakolli tregon fenomenet kryesore të parafushatës

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka përmendur tri fenomene të cilat e kanë karakterizuar parafushatën e partive politike, derisa ka pasur kritika për disa nga veprimet që ka bërë Qeveria përpara zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së të premten, Cakolli ka thënë se Ligji për zgjedhjet nuk e rregullon çështjen e parafushatës, prandaj partitë nuk mund të dënohen për shkeljet që i bëjnë.

“Problemi kryesor i parafushatës është mungesa e rregullimit ligjor. Ligji aktual nuk e adreson çështjen e parafushatës. Gjitha aktivitetet nga ajo ditë kur janë shpallur zgjedhjet deri në nisjen e fushatës, këto aktivitete mbesin të parregulluara, nuk i nënshtrohen kodit të mirësjelljes, nuk raportohen financat. Tek tani kemi hyrë në kohën kur do duhej raportuar për financat, edhe pse në praktikë partitë nuk i raportojnë”, ka thënë Cakolli.

Sipas tij, problemi nuk qëndron që partitë kanë nisur aktivitetet para fushatës, por te mungesa e rregullimit ligjor.

“Tri fenomene e kanë karakterizuar procesin në tërësi që nga dita e shpallës së zgjedhjeve: Aktivitete intensive të parafushatës si brenda dhe jashtë vendit, ndërhyrjet e Qeverisë në operacionet zgjedhore, specifikisht Ministria e Jashtme në raport me votimin jashtë vendit dhe vendimet e Qeverisë që kanë impakt zgjedhor e të cilat duken që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë te përcaktimi i votuesit”, ka shtuar ai.

Cakolli ka thënë se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është e vetmja që s’ka pasur tubim publik në Kosovë, ndryshe nga partitë opozitare.

Për Cakollin, shkelje përbëjnë takimet e kryeministrit Albin Kurti me mërgatën. Madje, siç thotë ai, është e paprecedentë që këto takime të njoftohen nga ambasadat e konsullatat.

“Në media asnjë prej aktiviteteve [takimet e kryeministrit në mërgatë] nuk janë paraqitur si aktivitete partiake, që përbën shkelje, pasi i ofron avantazh LVV-së karshi partive të tjera. Në aktivitete, Kurti ka shkuar në cilësinë e kryeministrit e që duket të jetë bërë me para të shtetit. Partitë duhet t’i shfrytëzojnë mjetet që ia jep KQZ-ja. Psh, Vetëvendosja i merr 2 milionë euro në vit nga KQZ-ja. Nuk duhet të shfrytëzohen mjetet publike. Njoftimet për këto takimet janë bërë nga ambasadat, që është format i paprecedentë. Nuk kemi parë raste të shprehura sikur tani ku misionet diplomatike u bën thirrje qytetarëve ta takojnë kryeministrin”, ka deklaruar ai.

Por Cakolli ka thënë se këtu qëndron problemi i parafushatës pasi sipas tij as Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk mund të shqiptojë gjoba.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga DnV-ja ishte edhe me procesin e votimit jashtë vendit.

“Ministria e Punëve të Jashtme e ka tejkaluar mandatin dhe ka tentuar të ndërhyjë në këtë proces duke kërkuar hapjen e qendrave të votimit në vende të tjera, gjë që është e paligjshme, pasi KQZ-ja është institucioni i vetëm që ka autoritetin për të organizuar dhe administruar zgjedhjet. Përgjegjësitë e secilës palë janë të përcaktuara me ligj. Ministria e Jashtme duhet të përmbahet nga një tendencë e tillë”, ka deklaruar Cakolli.

Deri më tani, toni i fushatës, sipas Cakollit, ka qenë i balancuar dhe retorika nuk ka qenë aq e acaruar.