Arbëri

Cakolli: S’ka zbrazëti ligjore marrja e mandatit të deputetit nga kryeministri apo ministrat

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli i Institutit Demokratik të Kosovës ka deklaruar se debati mbi dështimin e seancës konstituive është më tepër së interpretimi i një neni, duke thënë se ajo është provë e karakterit institucionale dhe sjelljes politikes të partisë në qeverisje.

Ai ka shkruar në Facebook se marrja e mandatit të deputetit nga kryeministri apo ndonjë ministër s’është zbrazëti ligjore, por “një zgjedhje e qëllimshme për të shtyrë kufijtë e rregullit”.

Sipas Cakollit, dorëheqja e kryeministrit nuk nënkupton që vendi s’ka udhëheqës pasi tha se shtetin e mbajnë zëvendësministrat, zëvendëskryeministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe administrata.

“Sepse kur një Kryeministër apo ministër vjen për të marrë mandatin si deputet pa dhënë dorëheqje formalisht, nuk kemi zbrazëti ligjore. Kemi një zgjedhje të qëllimshme për të shtyrë kufijtë e rregullit. Disa po thonë: ‘Po nëse të gjithë japin dorëheqje, kush e udhëheq shtetin?’. Përgjigjja është e qartë dhe e nënkuptueshme: shtetin nuk e mbajnë individët apo emrat e përveçëm – e mban sistemi. Zëvendës(krye)ministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe administrata janë aty. Ka instrumente tranzicioni dhe ka mekanizma për të funksionuar përkohësisht. Ideja është që institucionet të zgjidhen sa më shpejt – jo që të kalkulohet e kundërta. Në fund të fundit, nuk ka asnjë nen që thotë ‘ose qëndro në dy funksione, ose le shtetin pa qeverisje’. Ligji thotë thjesht – mos mbaj dy pushtete njëkohësisht”, ka thënë Cakolli i KDI-së.

Ai ka shtuar se mandati i ministrit nuk përfundon “vetëm pse shkon për të dhënë betimin në Kuvend”.

“Nëse je ende në Qeveri – në çfarëdo kapaciteti – je pjesë e pushtetit ekzekutiv. Të jesh ‘në detyrë’ nuk do të thotë që je ‘ish-(krye)ministër’. Do të thotë që nuk ke më mandat të plotë – por ke ende pushtet. E pikërisht për këtë arsye, ligji ndalon që të jesh njëkohësisht edhe në Qeveri, edhe në Kuvend. Sepse nuk mund t’i shërbesh dy pushteteve në të njëjtën kohë. Jo për arsye estetike, por për rend demokratik”, ka shtuar ai.