Po që se numërimi i votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit shkon me ritmin aktual, rezultatet e plota s’do të dihen para fillimit të muajit mars, ka thënë Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.
Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se deri në mesnatën e së mërkurës, 18 qendrat komunale të numërimit kanë numëruar vetëm 114 vendvotime. Sipas tij, një tavoline po i duhen mesatarisht tetë orë për numërimin e një kutije.
Problemet kryesore të këtij procesi, sipas Cakollit, janë telashet me internet, tensionet mes vëzhguesve dhe komisionerëve, mospërputhja e të dhënave, stafi i trajnuar dobët dhe procedura e ngadalshme e pranimit të materialeve dhe formularëve në sistem.
“Me këtë ritëm, edhe sikur 20 qendrat e tjera të fillonin punë nesër - e që nuk pritet të ndodhë - do të duhen rreth 3 javë që ky proces të përmbyllet. Pra, rezultati i plotë për subjektet politike dhe kandidatët e tyre nuk do të dihet para fillimit të marsit”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë thirrje që KQZ-ja t’i adresojë mangësitë, të rrisë kapacitetet dhe të garantojë më shumë transparencë dhe që partitë t’i nxjerrin mësimet nga situata.
“Ndryshimet sistemore nuk mund të bëhen pa një analizë të thelluar paraprake. Kosova duhet t’i kthehet numërimit të të gjitha votave në vendvotime, në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare”, ka përfunduar ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të enjten ka njoftuar se numërimi është duke u zhvilluar në 26 qendra komunale.