Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e ka quajtur tallje me qytetarët e Kosovës, atë që po bën Kuvendi i Kosovës që nga 15 prilli.
Të dielën, sot, Kuvendi dështoi për herë të shtatë të konstituohet. Ngërçi mka mbetur tek propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kryeparlamentare. Ajo vazhdimisht po i merr vetëm 57 vota.
“Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët. Edhe sot, një të diel, një tjetër seancë për pesë minuta “punë” – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin. Në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Sipas tij, një marrëveshje e mundshme do të vërehej përmes deklaratave të reja e narratives së ndryshuar, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar”, ka shtuar ai.