Arbëri

Cakolli: Në seancën konstituive pres kontestim të mandatit të anëtarëve të kabinetit qeveritar

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se në seancën konstituive të legjislaturës së re më 15 prill, do të mund të kontestohet mandati i anëtarëve të kabinetit qeveritar të cilët nuk kanë dhënë dorëheqje. 

Cakolli thotë se mosdhënia e dorëheqje përbën shkelje ligjore dhe se pritet të kontestohet. 

“Unë pres të lind çështja e mandatit të kabinetit qeveritar që nuk kanë dhënë dorëheqje. Besoj se ende ka papajtueshmëri të mandatit të tyre të deputetit dhe ministrave. Ligji për Qeverinë, neni 26 e përcakton qartazi se qeveria në detyrë, anëtarët e qeverisë në detyrë, e që është statusi juridik e ligjor i qeverisë aktuale, duhet të japin formalisht dorëheqje”, ka thënë Cakolli në “Interaktiv” të KTV-së. 

Cakolli thotë se "s'mund që dikush derisa është ministër, qoftë edhe në detyrë, të ketë mandat të deputetit të verifikuar". 

“Fatkeqësisht, edhepse nuk ka pasoja ligjore, në kuptimin e sanksionimit të mosdhënies së dorëheqjes, situata e parë që buron nga gjithë kjo shkelje e ligjit – sipas vlerësimit tim – do të ketë kontestim të mandatit të tyre në seancën konstituive. Kushdo që e bën këtë do të ketë të drejtën ligjore. Nuk mund që dikush, derisa është ministër qoftë në detyrë, të ketë mandat të verifikuar të deputetit”, ka thënë Cakolli. 

Ai ka thënë se si ministra ne detyrë, ata nuk mund as të kenë takime me homologët e tyre, duke iu referuar takimit që ka pasur të martën ministrja e Jashtme e Kosovës në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.

Cakolli në “Interaktiv” ka folur edhe për mundësitë e koalicioneve. Ai ka thënë se më tepër pret që ndonjë anëtar nga partitë opozitare të kalojë në radhët e partisë fituese Lëvizjes Vetëvendosje, sesa që partitë që ishin opozitë në legjislaturën e fundit ta formojnë vetë qeverinë. 

Cakolli ka thënë se momentalisht nuk ka të sigurt ndonjë kalim, pasi po të ishte kështu, atëherë do të bëhej i ditur deri më tash emri potencial për kryekuvendar.