Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka deklaruar se kostoja e zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm do të jetë më e larta ndonjëherë për shkak të votimit preferencial.
Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Cakolli ka thënë se ndikim të madh në rritjen e kostos së zgjedhjeve do të ketë edhe votimi jashtë vendit.
“Kostoja e zgjedhjeve në Kosovë po rritet vazhdimisht dhe unë besoj se në këto zgjedhje do të jetë më e larta ndonjëherë për shkak të votimit preferencial dhe numërimit nëpër qendra komunale për javë të tëra, por ndikimin më të madh në rritjen e kostos së zgjedhjeve do ta ketë votimi jashtë vendit”, ka thënë ai.
Cakolli ka shtuar se ndryshimet e bëra në legjislacionin zgjedhor para rreth një viti kanë përfshirë disa elemente të kërkuara nga ana e partive politike, shumë prej të cilave janë të paargumentuara dhe të paarsyetuara, e të cilat shkaktojnë edhe vonesa në procesin zgjedhor.
“Ndryshimet e bëra në legjislacionin zgjedhor para rreth 1 viti kanë qenë ndryshime teknike dhe kozmetike të procesit zgjedhor, kanë përfshirë edhe disa elemente të kërkuara nga ana e partive politike, ndonëse shumë prej tyre kanë qenë të paargumentuara dhe të paarsyetuara. Prej tyre është rritja e votës preferenciale nga 5 në 10 kandidatë brenda subjekteve politike. Ky ndryshim i pakërkuar as nga misionet vendore e as ndërkombëtare nuk ka qenë i arsyetuar pasi qytetarët nuk kanë më shumë se 3 apo 4 kandidatë të preferuar brenda partive politike. Së dyti, në vitin 2007 Kosova ka aplikuar një model të tillë, por që edhe në atë kohë mesatarja në nivel vendi sipas statistikave zyrtare ka qenë 5.6 vota, që nënkupton se më shumë se 4 vota të qytetarëve ose nuk janë shënuar fare, por mund të ketë ndodhur që janë plotësuar edhe nga ana e komisionerëve. Kjo rrezikon vonesa në procesin zgjedhor”, është shprehur Cakolli.
Ai ka theksuar se në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një rritje të numrit të votuesve prej rreth 150 mijë.
“Kemi të bëjmë me një rritje prej 150 mijë votuesish në listën e votuesve, që do të thotë 400 mijë votues më shumë sesa që kemi banorë në bazë të matjeve të fundit të Agjencisë së Statistikave, në kuadër të regjistrimit të popullsisë. Krahasuar me vitin 2021, kemi një rritje prej 150 mijë votuesish, që është afërsisht trendi i zakonshëm i votuesve të rinj që futen në listën e votuesve”, ka theksuar ai.