Arbëri

Bytyqi: Vendosja e çmimeve në barna u shkakton farmacistëve 20 milionë euro humbje

Kadri Bytyqi, OFK

Kadri Bytyqi nga Oda e Farmacistëve të Kosovës ka thënë se janë kundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë që çmimet të vendosen në barna.

Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se rastin e kanë dërguar në Gjykatën Komerciale, duke shtuar se ky vendim është joligjor.

Sipas Bytyqit, vendosja e çmimeve në barna u shkakton farmacive të Kosovës mbi 20 milionë euro humbje në vit.

“Pika 6 e vendimit që parasheh barnatoret t’i vendosin çmimet në barna, e kur dihet se ato barna janë në stoqe dhe janë blerë me çmime të tjera. Këtë e kemi bërë për t’i mbrojtur kolegët tanë farmacistë që punojnë deri në 13 orë dhe bëjnë qindra shërbime...Dikur në tërë farmacitë në Kosovë janë 20 milionë euro humbje për shkak të stoqeve dhe çmimeve të furnizimit të tjera”, ka thënë kryetari i Odës.

Sipas tij, ky vendim është i papranueshëm, duke theksuar se kanë kërkuar opinion ligjor edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

“Vendimi është në kundërshtim me ligjet e tjera të aplikueshme në Kosovë. Deri në përpilimin e kësaj liste jemi përjashtuar nga procesi. Kemi pasur një anëtar të deleguar, para një kohe është përjashtuar dhe pa asnjë arsye, vetëm na është thënë se u përjashtua se ka qenë destruktiv”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Shoqata e Distributorëve për Produkte Farmaceutike dhe Medicinale e Kosovës tha se kanë mbajtur një takim ku vendosën që stoku aktual i barnave të vazhdojë të shitet me çmimet ekzistuese deri në përcaktimin e periudhe kalimtare të zbrazjes së stoqeve.

Gjithashtu, u tha se kanë vendosur që produktet e importeve të radhës që do të jenë me çmim të miratuar nga MSH-ja nën çmimin e furnizimit të procedohen në gjykatë.

“Operatorët t’i drejtohen ATK me kërkesë për sqarime lidhur me shitjen e produkteve nën çmimin blerës sipas listës (e cila nuk ka veprim prapakthyes) dhe se operatorët veçse i kanë të deklaruara stoqet tek ATK”, thuhet në komunikatë.