Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Seb Bytyçi ka vlerësuar se letra që kryetarë të komisioneve për punë të jashtme të disa shteteve dhe 56 deputetë i kanë drejtuar SHBA-së, BE-së e Britanisë së Madhe për të ndryshuar qasjen ndaj Serbisë, është një hap shumë i rëndësishëm.
Bytyçi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nëse ka angazhim më të madh të parlamentarëve siç është ajo letër, atëherë mund të merret parasysh kërkesa. Bytyçi ka thënë se më e rëndësishme është se ka pasur në atë letër deputetë nga disa shtete baltike, e po ashtu ndër to nga Ukraina. Ai ka thënë se kjo përbën një moment të ri në raportin mes Kosovës e Ukrainës.
Bytyçi ka thënë se letra është shkruar në një moment ku pritet të ketë tranzicione në SHBA, ku këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet është drejt largimit për në Departament të Mbrojtjes, e ku asistent-sekretari i Jashtëm i SHBA-së për Evropë do të ndërrohet e do të vijë James O’Brien.
“Si duket kjo letër ka qenë e targetuar pikërisht gjatë këtij tranzicioni, që shihet si tranzicion i personave që mund të rezultojë në një ndryshim të politikave. Sa i përket pikës tash ku gjendet dialogu, mendoj është e rëndësishme, pasi dialogu është në një fazë mjaft kritike, ku duhet të arrihet pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes e do të ketë negociata shumë të vështira për Kosovën. Nëse ka një qasje më objektive, më pro-Kosovës, atëherë Kosova do të kalojë më mirë në këto negociata që pritet të ndodhin shumë shpejt, për t’u arritur ajo marrëveshje mbi implementimin e marrëveshjes”, tha Bytyçi.
Bytyçi ka thënë se pika më e rëndësishme në letër, e cila u është dërguar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, e ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly, është që të ndryshohet ajo qasje ku Serbia luan rolin kryesor në Ballkan.
“Mendoj që është qasja e përgjithshme ku kritikohet kjo qasja e të bazuarit së politikës së jashtme në idenë se Serbia e ka rolin kryesor në Ballkan e rrjedhimisht duhet të dominojë Ballkanin. Ky është thelbi e është me rëndësi që qartazi kritikohet kjo gjë, ndoshta për herë të parë në nivel kaq të lartë. E duhet të rimendohet e gjithë kjo qasje. Kemi të bëjmë me politikë që zgjati me vite, që nga koha e Obamës e Merkelit, e që u dëshmua se ishte e gabuar pas pushtimit rus të Ukrainës. Ajo politikë akomoduese ndaj rivalëve siç është Rusia apo Serbia, ajo politikë është dëshmuar e gabuar. S’ka logjikë të vazhdohet e njëjta në raport me Serbinë, nëse duhet ndërpritet në raport me Rusinë. Serbia po vepron si Rusi e vogël në Ballkan, sipas kësaj logjike edhe me Serbinë duhet pasur qasje më konfrontuese, e të mos vazhdohet me politikën e vjetër që është dëshmuar e gabuar”, tha Bytyçi.
Bytyçi ka thënë se fakti se nuk po merren masa ndaj Serbisë po e trimërojnë atë e po çon në trazira e jostabilitet.
“Serbia duhet të mbahet në orbitë, por qasja që ajo me çdo kusht duhet të joshet, po jep rezultate të kundërta”.
Bytyçi ka thënë se për t’i hequr masat ndaj Kosovës, duhet të ketë një shtet anëtarë të BE-së që udhëheq lëvizjen për këtë. Ndaj Kosovës, BE-ja ka vendosur disa masa ndëshkuese si pasojë e tensioneve në veri.
Sa i përket marrëdhënieve Kosovë – Ukrainë, Bytyçi ka thënë se nuk mund të pritet një njohje e shpejtë e Kosovës nga Ukraina, porse kjo letër është një hap i rëndësishëm.